Tiranë, 30 Prill – Sapo kanë mbërritur në Shqipëri 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë që para një muaji u nisën në Itali për të ndihmuar fqinjët tanë për përballimin e situatës së krijuar nga përhapja e COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka pritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” 30 mjekët dhe infermierët duke u uruar atyre mirëseardhjen u shprehur se me vajtjen e tyre kanë shkruar një faqe të re në historinë e marrëdhënies mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Jam shumë e emocinuar që jeni këtu pasi ishim në merak për ju pasi po shkonit në vendet më të prekura. Di që keni bërë një punë të lavdërueshme. Keni lënë mbresa tek stafi aty në spitalet në Breshia. Keni lënë mbresa tek pacientet. Ju keni shkruar një faqe të re në historinë e marrëdhënies mes Italisë dhe Shqipërisë”, tha Manastirliu.

Duke i falenderuar për kontributin e tyre, Manastirliu tha se lufta kundër COVID19 nuk ka mbaruar dhe eksperienca e mjekëve dhe infermierëve në Itali do t’u shërbejë jo vetëm atyre por edhe sistemit shëndetësor shqiptar.

“Jam e sigurtë që kjo eksperiencë do t’u shërbejë shumë ju, por edhe sistemit tonë shëndetësor. Ka nevojë për ju, ka nevojë për eksperiencën tuaj këtu. Ju jeni heronjtë modern të Shqipërisë. Dhe në këtë kohë të jesh hero dmth të tregosh solidaritet, sakrificë në një mision sublim në emër të jetës”, tha Manastirliu.

Ju do të vetëkarantinoheni brenda banesave tuaja sipas standardid dhe udhëzimit që kemi përcaktuar, më të jgitha mjetet e mbrojtejs personale. Për 14 ditë do të qëndroni brenda banesave tuaja, duke respektuar dhe standarded e sigurisë brenda familjeve tuaja.

Grupi i parë prej 30 mjekësh dhe infermierësh shërbeu për një muaj në spitalet e Breshiash, një akt solidarteti që u vlerësua nga Italia. Ata do të qëndrojnë për 14 ditë në vetëkarantimin, sipas protokolleve të përcaktuara, pavarësisht se të gjithë ata kanë rezultuar negativë për COVID19 pas testimit të kryer para se të niseshin për Shqipëri. Aktualisht në Itali po shërbejnë dhe 60 infermierë shqiptarë, pjesë e grupit të dytë të dërguar nga vendi ynë në ndihmë të Italisë.