Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili u prek nga koronavirusi ka falënderuar të gjithë ata që janë interesuar për shëndetin e tij gjatë këtyre ditëve, ndërsa shprehet se ndihet më mirë dhe shpreson që prova e tamponit të rezultojë negative.

Brataj shkruan se ia ka dalë falë mbështetjes, terapisë, dëshirës dhe vullnetit për ta mposhtur COVID-19, për të cilin thotë se tani e njohin më mirë se një muaj më parë.

Ai thekson se nuk ka gjë që nuk bëhet, luftë që nuk fitohet, por duhet shumë shumë punë, shumë shumë durim, shumë shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga të gjithë.

POSTIMI I BRATAJ
Përshëndetje

Një falënderim të gjithë JUVE, që asnjëherë nuk më keni lënë vetëm në këto ditë të sëmundjes, izolimit dhe karantinës. E di që nuk kam mundur t’ju përgjigjem dot të gjitha mesazheve tuaja sepse janë të shumta, prandaj ju falënderoj dhe ju vë në dijeni se gjendja ime shëndetësore është më e mirë dhe shpresoj të jetë negative prova e tamponit. Unë mendoj se ja dola falë mbështetjes tuaj, terapisë, dëshirës dhe vullnetit që kam për ta mposhtur COVID-19.
GATI, për të rifilluar përsëri betejën me këtë armik të padukshëm, por që tani e njohim më shumë se një muaj më parë, kur u paraqit para nesh.
Nëse ka pasur shprehje që nuk e kam duruar që kur jam kthyer, është shprehja e famshme: NUK BËHET,
pa e ditur për çfarë problemi flitet, për çfarë pune, pa e pasur idenë ose kompetencat profesionale! Duke ju përveshur punës, ne krijuam një shërbim të pazëvendësueshëm, siç është ai i urgjencës, të cilin shumë prej jush e kanë provuar në këto tre vitet e fundit.
NUK KA GJË QË NUK BËHET, luftë që nuk fitohet, por duhet shumë shumë punë, shumë shumë durim, shumë shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga të gjithë.
Dr. Skënder Brataj

Brataj Fb