Pas dy javësh vetëkarantinim, si rezultat i kontaktit me një mjek të infektuar, Kancelarja Gjermane i është adresuar qytetatëve gjermanë me një video, në të cilën thekson se “ilaçi” i vetëm për përballimin e situatës është durimi dhe solidariteti.
“Është ende shumë herët që të njohim një trend të qartë dhe është tepër herët për të liruar shtrëngimet apo për të dhënë një datë se kur mund të lirohen ato”, nis videomesazhin e saj Kancelarja.
“Përcaktimi i një date sot do të ishte absolutisht e papërgjegjshme. Nëse kjo do të ndodhte, do të kalonim nga shiu në breshër, në pikëpamjen shëndetësor, ekonomike dhe sociale”.
Për Merkelin nuk është momentin për të ushqyer shpresa të parakohshme dhe është e sigurtë që Pashkët e këtij viti do të kalojnë brenda mureve të shtëpisë.
“Kjo është një sfidë thelbësisht e ndryshme nga çdo sfidë që kemi përballuar më parë dhe përpjekjet aktuale të sistemit tonë shëndetësor do t’i konsideroja si herkuliane. Megjithatë, lajmi i mirë është që pavarësisht rritjes së madhe, në ditët e fundit duket se kurba e ngjitshmërisë po reduktohet”, vijon më tej mesazhin Merkel.
Në fund, Kancelarja thekson edhe një herë se shteti i vetëm e ka të pamundur të fitojë sfidën ndaj coronavirusit. “Durim dhe solidaritet”, për të rrespektuar rregullat. Vetëm kështu mund të kalojë e keqja.
E nëse Gjermania e konsideron përpjekjen me sëmundjen si një përballje herkuliane, çfarë mund të thuhet për Shqipërinë?
Lajmi i mirë është që kurba e preshmërisë në Shqipëri, falë masave të marra ka mbetur nën projeksionet fillestare dhe dukshëm poshtë situatës aktuale të vendeve të rajonit (3-4 herë më pak raste për frymë se Serbia dhe Kroacia).
Por, duhet shumë pak për të çuar të gjithë sakrificën dëm. Deri tani masat kanë funksionuar dhe zgjidhja e vetmje për një vend si Shqipëria, është që të vijojë të shtrëngojë dhëmbët edhe pak.
Shqipëria mund të jetë në ditët e saj të pikut dhe më e keqja mund të ngelet shpejt pas nesh, por për të mposhtur coronën ka vetëm një rrugë: Të bëjmë durim edhe pak më gjatë.
E sigurtë është që e keqja do të kalojë. Nëse respektojmë rregullat sot, ndihmojmë që epidemia të kalojë më shpejt dhe t’i rikthehemi të gjithë normalitetit më herët.