Vijoi edhe sot shpërndarja e ndihmave ushqimore në zonën e Shëngjergjit, e konsideruar si malësia piktoreske e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në familjet e Erald Agajt, Haki Bitrit, Ilmi Agajt, Shkëlqim Hidës, banesat e të cilëve u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Teksa i siguroi se ndihma ushqimore nuk do t’u mungojë gjatë gjithë periudhës së pandemisë COVID-19, kryebashkiaku tha se edhe masat e marra nga qeveria për heqjen e kamatëvonesave apo marrjen e pensionit në banesë janë arsye të mjaftueshme për të mos dalë nga banesa.
“Kjo është një gjë shumë e mirë sepse njerëzit dilnin jashtë ose për të marrë pensionin, ose për të paguar ujë e drita. Tani kamatat u hoqën, pagesat u shtynë, pensioni të vjen në shtëpi. Pra, janë eleminuar 3 arsye kryesore pse dilte një i moshuar nga shtëpia”, tha ai.
Veliaj theksoi se masat e marra po rezultojnë të duhurat, pasi edhe shumë shtete të tjera po ndërmarrin të njëjtat masa. “Tani kur po e shohin që edhe vendet e tjera, edhe kryeministrat e botës po marrin masat që mori Edi, të gjithë thonë: “Paska pasur të drejtë”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë shtoi se nëse do të ruhet kjo disiplinë e qytetarëve për të qëndruar në shtëpi, situata mund të menaxhohet dhe kalohet më shpejt. “Po të vazhdojmë me këtë lloj disipline, do e kalojmë edhe më herët se të tjerët. Në Amerikë tani po bën namin sepse janë 50 shtete; çfarë bën New York-u, nuk bën Florida e me radhë. Por, edhe atje si këtu, kush ka qenë strikt e ka menaxhuar, kush e ka marrë me humor e gallatë është penalizuar. Por janë jetë njerëzish”, tha ai.
Bashkia e Tiranës ka ngritur grupe pune në të gjithë territorin dhe bashkë me ndërlidhësit dhe kryepelqtë po evidentojnë dhe shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë.