Kryeministri Edi Rama komentoi edhe situatën e vështirë që po kalojnë mediat nga ana financiare kur e gjithë Shqipëria ndodhet në karantinë.

Rama tha se për të gjithë është koha që të shkurtojnë shpenzimet.

“Nuk e kemi parashikuar këtë sepse ajo që është e rëndësishme për qeverinë tonë dhe çdo qeveri tjetër, se kur thoni të gjitha qeveritë, janë disa. Kur flasim për mediat, flasim që qeveria duhet të garantojë në një kohë të vështirë që të jetë informacione. Se këtu kanë dalë edhe klube futbolli që kërkojnë ndihmë. Dhe unë nuk them se këto kërkesa janë jo legjitime, them që në këto kushte ku është shtëpia jonë nuk mund t’i plotësojë të gjitha. Do të plotësojmë ato të ekzistencës, jo fitimin e munguar, jo plagët që do të marrë secili. Këtu mund të ketë disa në halle dhe disa që duan që shteti t’ua zgjidhë hallet. Të gjithë do të marrin pjesën e vet të hallit. Prandaj mendoj që ka një shembull pozitiv nga qeveria dhe grupi parlamentar i PS, për heqjen dorë nga gjysma e pagës, jo se sic thuhet rëndomtë që për ne kjo është diçka që s’ka rëndësi, por sepse për të gjithë është koha që të shkurtojë shpenzimet”, tha kryeministri Rama në Ora News.