Barcelona nuk po negocion ndonjë marrëveshje me yllin e PSG, Neymar, as me xhevahirin e Interit, Lautaro Martinez. Kështu shprehet presidenti i La Liga-s, Javier Tebas. Gjigandët katalanas janë lidhur shumë me transferimin e këtyre dy lojtarëve në merkaton e verës, por duket se kriza e “Coronavirus” i ka ndryshuar planet e të gjithëve. Tebas i hodhi poshtë këto zëra, duke nënvizuar se Barça kishte përparësi të tjera në mes të pandemisë së Covid-19:
“Nuk është e vërtetë se Barça, aktualisht është në procese të negociatave për nënshkrimin e këtyre dy lojtarëve. Katalanasit janë më të përqendruar në atë se kur sezoni mund të rifillojë, jo për blerjet e reja. Do të ketë marrëveshje shkëmbimi në të ardhmen afatshkurtër, sepse transferimet e niveleve të larta nuk janë përparësi e klubeve europiane për momentin.
Ato duan të kufizojnë dëmet ekonomike të shkaktuara nga ndalja e aktivitetit, gjithçka është ende në pritje. As Neymar dhe as Lautaro nuk janë në listën e përparësive të Barcelonës, aktualisht. Klubi azulgrana nuk ka aftësinë financiare t’i bëjë këto nënshkrime aktualisht. Për momentin është plotësisht e pamundur”.
“Mediapro”, kompania që do të transmetojë PSG dhe Ligue 1 sezonin e ardhshëm, është e padurueshme që Barcelona të mos ketë fonde për të nënshkruar me Neymar, ose Martinez, për shkak të krizës aktuale globale të shëndetit. Presidenti i saj, Jaume Roures, thotë se efekti i Covid-19 në të drejtat e transmetimeve televizive dhe procedurat bankare do t’i zvogëlojnë tarifat dhe pagat e transferimit të lojtarëve:
“Barcelona nuk ka më aftësi ekonomike për të shpenzuar… Unë nuk e di se sa shumë, por tani është e pamundur. Kriza do të ndikojë në çmimin e të drejtave televizive në një mënyrë, ose në një tjetër. Po kështu, pagesat e lojtarëve me qindra-miliona euro do të marrin fund. Së pari, sepse klubet nuk do të kenë më mjete financiare, dhe së dyti, sepse bankat nuk do t’i kreditojnë klubet me të njëjtën lehtësi si më parë. Kjo do të ndryshojë gjithçka dhe unë mendoj se është shumë pozitive”.