Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në 11 mijë me gjithsej rreth 370 mijë, të prekur.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump tha se ka ofruar ndihmë për shërimin e kryeministrit britanik Boris Johnson, i cili vazhdon të jetë në kujdes intensiv me koronavirus.

Mbrëmë, në konferencën për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump tha se u kishte kërkuar disa prej kompanive kryesore që “të kontaktonin menjëherë Londrën”.

Kryeministri britanik është në oksigjen për shkak të komplikimeve serioze dhe qeverinë po e drejton ministri i tij i jashtëm. Kjo vjen ndërkohë që Britania po hyn në një fazë që shkencëtarët paralajmërojnë se do të jetë më vdekjeprurësja që nga fillimi i pandemisë në vend.

Sipas njoftimeve të tjera, sot për herë parë Kina nuk raportoi vdekje të reja nga koronavirusi. Po ashtu pati një rënie të rasteve të reja me COVID 19, një ditë para se qyteti i Uhanit, ku u shfaq virusi në fund të dhjetorit, përgatitet të heqë karantinën.