Pakësimi i ndotësve të ajrit për shkak të pandemisë nuk do të zgjidhë çështjen e klimës. Ky është apeli i zërave pro-klimës, ky është alarmi i Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM).
Masat për shkak të pandemisë globale kanë ulur shkarkimet mesatare vjetore të karbonit në ajër. Ashtu sikundër pandemia nuk do të zgjasë përgjithmonë, reduktimi i karbonit është i përkohshëm dhe ndikimi në ndryshimet klimatike vihet në dyshim.
Autoritetet për klimën pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara thonë se periudha pas pandemisë do të sjellë rritje të menjëhershme të shkarkimeve karbonike në ajër si rezultat i rifillimit të aktivitetit global.
Petteri Taalas tha: “Reduktimi i emetimeve të karbonit në ajër gjatë këtyre muajve nuk mjafton as për të përmbushur synimet e Marrëveshjes së Parisit të 2015, për mbajtur rritjen e temperaturës mesatare globale deri në 1,5 °C. Kërkohet një reduktim vjetor me të paktën 7% që të presim ndikime në klimë”.
Edhe raporti më i fundit mbi gjendjen e klimës konfirmon vijimin e rritjes së temperaturës mesatare globale me mbi 1°C edhe gjatë këtij shekulli dhe janë pikërisht 5 vitet e fundit më të nxehtat në historinë e matjeve. Edhe muajt e parë të vitit 2020, për shumë rajone të globit, janë klasifikuar si muajt më të nxehtë apo të dytët më të nxehtë, në historinë e matjeve.
Ky nivel i CO2 në ajër është krijuar në shekuj, prandaj një reduktim i lehtë i tij do të kërkojë kohë të gjatë për të ndikuar në klimë. Kjo është dhe arsyeja për të cilën mjediset shkencore për klimën janë aktivizuar së fundmi: “Nëse besohet se masat për Covid-19 do të ndalojnë ndryshimet klimatike, kjo është e gabuar. Suksesi qëndron në investimet dhe zgjidhjet miqësore me klimën, në kalimin nga shoqëri karburant-konsumuese në burime të tjera alternative”.
Covid-19 është çështja më serioze e momentit në mbarë botën, por pandemia bëhet më problematike nga pikëpamja ekonomike e klimatike. Vlerësimet e deritanishme mbi ndikimin e masave për Covid-19 në emetimet e karbonit në ajër tregojnë një reduktim me 6%, meritë e ndalimit të industrive dhe trafikut. Por, sapo pandemia të kalojë, aktivitetet social-ekonomike do të rikthehen së bashku me emetimet e karbonit në ajër.