Intervistat me Skype janë bërë të zakonshme këto kohë dhe njësoj janë zhvilluar edhe në emisionin “Pop Culture”. Një prej të ftuarve të kësaj jave ishte Olsi Bylyku, i cili dha intervistën e parë virtuale në këtë periudhë karantine.

Mes të tjerash, aktori i humorit zbuloi disa prej ngjarjeve që kanë ndodhur në jetën e tij këto kohë, siç është bashkëjetesa. Ai dhe partnerja e tij, Egli Tako kanë filluar të jetojnë bashkë për këtë periudhë dhe me sa duket, gjithçka po shkon për mrekulli.

“Unë jam akoma në punë, me regjistrimet për Klanifornian. Kështu që, për të mos rrezikuar familjarët, vendosëm të bashkëjetojmë këtë periudhë. Ka ndodhur diçka shumë interesante; nuk jemi zënë asnjëherë”, -është shprehur Olsi, duke shtuar se lidhja e tyre po fuqizohet tani që jetojnë bashkë.

Ndërsa për sa u përket planeve për martesë, ata nuk kanë vendosur ende një datë, por ai nuk e përjashton mundësinë që mund të ndodhë pasi të dalin nga karantina:

“Nuk është se kemi vendosur një datë fikse. Shpresojmë që kur të dalim nga karantina, të mos jemi gropë nga lekët dhe pastaj vijnë të tjerat.” Është ende shpejt për të folur për planet për fëmijë, megjithatë Olsi zbuloi se në të ardhmen do të donte të kishte 2 fëmijë.