Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë bëri publike paketën e dytë financiare sa i takon “Pagës së Luftës”, ku bëri të ditur edhe kategoritë që përfitojnë ose jo nga kjo paketë. Por që nga momenti i prezantimit, nuk kishte më asnjë informacion se kur do të niste aplikimi i paketës së dytë.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i caktuar nga qeveria për menaxhimin e situatës së COVID-19, bën të ditur se që prej të hënës së ardhshme do të nisin aplikimet e paketës së dytë financiare.

Gjatë një interviste televizive, Ahmetaj theksoi se, paketa ka një fond limit prej 7 miliardë lekë dhe synon të ndihmojë të gjitha kategoritë e qytetarëve që ndodhen në vështirësi financiare. “Paratë do t’i shkojnë në llogari punëmarrësit. të hënën nisën aplikimet për paketën e dytë pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave dhe të publikohet në Fletoren Zyrtare”, u shpreh Ahmetaj. Më tej ministri i Rindërtimit theksoi se bëhet fjalë për një paketë që do t’u shkojë në ndihmë rreth 810 mijë qytetarëve.