Bashkia e Tiranës vijoi shpërndarjen e pakove ushqimore derë më derë, për familjet në nevojë, familjet me persona me aftësi të kufizuara, të moshuarve të vetmuar, familjet me ndihmë ekonomike dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në Zall Bastar, në familjet e Ibrahim Elezit, Hysni Koçit, Isa Xheletit, Muhedin Ketës dhe Hajrie Ketës, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Veliu u kërkoi banorëve të zonës që të qëndrojnë në banesat e tyre dhe i siguroi se për çdo nevojë, ndihma nuk do të mungojë në asnjë moment. Ai theksoi se falë ndarjes së re administrative, tashmë edhe zonat që dikur kanë qenë pjesë e ish-komunave, kanë mundësi që të përfitojnë ndihma më të mëdha.

Një tjetër lajm i mirë për Zall Bastarin është edhe rruga e re, e cila afron fermerët dhe blegtorët e kësaj zone me tregjet. “Me rrugën e Arbrit, loti i parë ka mbaruar, po bëhet edhe ky loti këtu, Zall Bastari do të jetë lagje e Tiranës. Tani që është bërë vetëm traseja e rrugës vihet më kollaj, imagjino kur mbarojë, vjen për 15 minuta”, tha Veliaj.

Një prej banorëve të zonës, Ibrahim Elezi, i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për ndihmën e vazhdueshme, ndërsa e falenderoi edhe për rrugën e re të Zall Bastarit. “Të gjitha premtimet që ke dhënë, i ke mbajtur. Rrugën na e bëre. Unë sot jam 70 vjeç, sa qeveri kanë kaluar dhe askush s’e bëri”, tha Elezi.

Duke i garantuar për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, kryebashkiaku theksoi se rruga e re e Zall Bastarit, bashkë me rrugën e Arbrit që po bën qeveria, do t’i japë zhvillim të gjithë zonës.

Bashkia e Tiranës ka ngritur grupe pune në të gjithë territorin dhe bashkë me ndërlidhësit dhe kryepleqtë po evidentojnë dhe shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë.