Për shkak të krizës së COVID-19, besimtarët ortodoksë në Berat po i kremtojnë ritet e Pashkës së Madhe brenda mureve të banesave, në të ashtuquajturat “kishëzat e shtëpive”- ngjashëm me vitet e diktaturës komuniste, kur besimi fetar ishte i ndaluar me ligj.
Nga Erjola Azizolli/
Gjatë festës së Pashkëve nën regjimin komunist, Margarita Mihali dhe familja e saj e mbyllnin portën e jashtme me panxh, thernin qingjin, bënin gati drekën dhe i drejtoheshin Zotit me lutje në një kishëz të ngritur brenda shtëpisë – fshehurazi nga bota jashtë.
Pashkët e këtij viti i rikthyen 72-vjeçares nga lagja Mangalem e Beratit kujtimet e kohës së diktaturës, ndonëse besimi në Zot nuk është më i ndaluar prej tre dekadash në Shqipëri.
Në pamundësi për të shkuar në kishë për shkak të situatës së krijuar nga epidemia e COVID-19, Margarita u lut sërish në kishëzën brenda shtëpisë –një kënd ku ajo shton vit pas viti një ikonë, një kryq apo një qiri feste.
Këndi i saj i lutjeve qëndron zakonisht në dhomën e gjumit- sipas traditës së ndjekur nga gjyshja dhe nëna e saj, por në këto ditë të pazakonta feste, ajo e ka vendosur atë në qendër të shtëpisë.
“Kjo është faltorja ime. Këtu ne orthodoksët jemi ballë për ballë me Zotin tonë, këtu lutemi, kërkojmë që të na falen mëkatet, kërkojmë mirësi, për veten dhe fëmijët,” thotë Margarita, duke treguar tryezën e mbushur me ikona, bilba, qirinj dhe vezë të kuqe.
Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë i janë përshtatur situatës së jashtëzakonshme në festimin e Pashkëve këtë vit, ndonëse për ta është e vështirë që të mos shkojnë në kishë apo të mos hedhin në lumë një vezë të kuqe të ruajtur nga Pashkët e një viti më parë. Kishat anekënd vendit e zhvilluan edhe ceremoninë e Epitafit në praninë e një numri fare të vogël besimtarësh.
Të mbyllur në karantinë, ata nuk kishin zgjidhje tjetër veçse t’u gëzoheshin “kishëzave” të tyre brenda shtëpisë.
Pashkë si në kohën e diktaturës
Për Margarita Mihalin dhe shumë besimtarë të tjerë, këto nuk janë Pashkët e vetme që festohen brenda mureve të shtëpisë. 72-vjeçarja thotë se festa i ngjan me ato vite kur Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që e ndaloi fenë me ligj dhe kur kryerja e riteve fetare mund të të shkaktonte mjaft probleme.
“Ishim ende të parritur mirë kur u ndalua feja, por besimi na ishte mësuar që në vogëli, se fjala e prindërit ishte ligj. Ndaj (për pashkë) mbyllej porta e jashtme me panxh (shul), therej qingji, bëhej dreka e pashkës. Lutjet kryeheshin në “kishëzat” tona dhe askush nuk merte vesh asgjë jashtë mureve të shtëpisë,” kujton Margarita.
Në shtëpinë e saj sot shikon ikona, libra të shenjtë e kryqe, pasi Margarita në çdo festë shton nga një simbol të ortodoksisë. Megjithatë, ajo shton se Zotit mund t’i lutesh në një qoshk, mjafton edhe vetëm një qiri.
“Në familjet ortodokse, edhe kur nuk kishte qiri, kishte kandil. Kishte gjithmonë një libër fetar, fshehur nga sistemi, kishte gjithmonë një cep në shtëpi ku lutja bëhej në heshtje, ashtu siç bëhej kryqi para dhe pas buke,” kujton Margarita.
Ajo thotë se mban mend që gjithmonë gjendej një mënyrë, sado e pamundur të ishte për t’u lutur për të festuar brenda mureve të shtëpisë. “Ashtu si dhe sot, por për tjetër arsye,” shton ajo.
Të njëjtën ndjesi që lidhet me të kaluarën ka dhe Stiljano Nova, një pensionist nga lagja Kala e Beratit. Ai tregon se ndjen keqardhje që këtë vit nuk do të mund të këndojë këngën kushtuar vuajtjes së Jezuit në Kryq në shesh, apo të kremtojë ringjalljen e Jezuit në kishë. Të gjitha këto ai do t’i kremtojë nga shtëpia e tij, ku ka bërë gati vezët e kuqe, drekën e madhe dhe gjithçka tjetër.
“Në repartin e ngjyrosjes në Kombinat kishte bojëra të ndryshme për ngjyrosjen e prodhimeve, ndaj dhe ne që punonin atje, e kishim të lehtë për të lyer vezët e kuqe, aq sa një herë mbaj mend që u bë problem në repart, përse mbarohej pikërisht ngjyra e kuqe,” kujton Stiljano, dikur drejtues në një nga repartet e ish-Kombinatit tekstil të Beratit.
Kisha e “Shëndëlliut”, një ndër shumë të tilla që ka lagja e Kalasë në Berat, ndodhet vetëm disa hapa larg banesës së tij, por shërbesat dhe lutjet me pjesëmarrjen e besimtarëve janë ndaluar si kudo, si masë për mospërhapjen e COVID-19. I moshuari tregon se edhe pse ka qëndruar prej 6 javësh i mbyllur në shtëpinë e tij, të mërkurën shkoi në kishë, por edhe ajo nuk ishte njësoj si ditët e tjera.
“Shkova në fakt tek kisha e lagjes, ditën e mërkurë, shërbesa u krye. Ishim vetëm shtatë vetë në kishë, në distancë nga njëri-tjetri dhe as që mund të krahasohet me një ditë normale feste,” thotë ai për BIRN.
Nova nuk ka dalë më prej shtëpisë. Ai ka mbledhur dafinat, një ndër shumë simbolikat e kësaj feste, ka vendosur kryqin, qirinjtë dhe ikonat në këndin e shtëpisë të përshtatur si vendi i lutjeve.
“Është ky vendi që na jep paqe, që na lidh me Zotin tonë, ndaj mjafton një ikonë, një qiri dhe ne orthodoksët mund të lutemi, sikur të ishim në kishë dhe pse zemra na donte që t’i bënim të gjitha shërbesat, siç i do feja jonë,” shprehet ai.
Për 72-vjeçarin Ferdinant Babasikas, anëtar i Këshillit Kishtar në Berat, mbyllja në shtëpi për Pashkë i kujton kohën kur diktatura filloi të eksperimentonte me ateizmin, në vitin e largët 1966. Kishat dhe xhamitë u mbyllën në vitin 1967, ndërsa ateizmi u vendos në kushtetutë në vitin 1976.
“Në vitin 1966 kam qenë në gjimnaz dhe këtë vit e mbaj mend mirë, sepse ka qenë viti i fundit që në Berat është kryer riti i “kapërcimit” të Epitafit, bashkimi i Epitafeve të dy kishave, pasi më pas, deri në vitin 1991 nuk u kremtua më kjo ditë,” thotë Babasikasi në një bisedë telefonike për BIRN.
“Atë vit ne kishim informacion se këshilli i asaj kohe do ta ndalonte kryerjen e “kapërcimit” të Epitafit, madje kishin vendosur që ta thyenin atë, por ne të rinjtë orthodoksë, jo vetëm që nuk lejuam që të na e thyenin Epitafin, por kryem dhe ritin, pasi na u bashkua gjithë qyteti, madje dhe të rinjtë myslimanë,” kujton ai.
Meshë e lutje në rrjete sociale
Ndërsa festa e Pashkëve brenda mureve të shtëpisë nuk është e panjohur për të moshuarit, për Atë Joan Qakon, Protopresviter (Prifti i Parë) në katedralen Shën Dhimitri në qendër të qytetit, ky vit do të mbahet mend gjatë.
Prifti i ka kaluar ditët e Pashkës së Madhe mes kishës që ndodhet në qendër të qytetit- ku mban meshat që përcillen në internet dhe “kishëzës” tjetër siç e quan ai, këndin e shtëpisë së tij, të cilën po ashtu këto ditë pashke po e ndan me gjithë besimtarët, nëpërmjet internetit.
“Praktikuam bashkë shërbesa që në periudhën e kreshmës, familjarë të shumtë na kërkuan që të luteshim bashkërisht, ndaj le të jetë kjo një pashkë shpirtërore e ndërgjegjes, e arsyes njerëzore, personale drejt Perëndisë dhe njëri-tjetrit,” thotë At Joani.
Interneti i ka ardhur në ndihmë komunitetit orthodoks në qytetin e Beratit edhe për të qenë pranë me të afërmit. Në lagjet muzeale të qytetit ”Kala”, “Mangalem” dhe “Goricë”, familjet po përdorin teknologjinë për të shkëmbyer urimet dhe ndjekur shërbesat në kisha.
At Joani thotë se ritet janë mundësuar që të ndiqen live nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa ai ka mbajtur “live” edhe lutjet gjatë ditëve të kreshmëve nga “kishëza” në shtëpinë e tij në “Goricë”. Është një situatë e paprecedentë për tërë njerëzimin, përfshirë këtu gjithkënd (besimtar apo jo besimtar), ndaj dhe unë vendosa që t’i vij afër të gjithëve, duke ndarë lutjet nga shtëpia ime, ku të gjithë e gjetën veten,” përfundon At Joani.