Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë vazhdimisht në fokus për paratë që është duke shpenzuar për të ngritur imazhin e tij në rrjetet sociale, me qëllim përfitimin e më shumë “like-ve” dhe “share-ve”.
Në mungesë të audiencës, kryedemokrati vijon t’i paguajë mijëra dollarë kompanisë së “Facebook”, në këmbim të publicitetit për deklaratat e tij.
Ashtu si një javë më parë, edhe gjatë kësaj jave, lideri i opozitës ka sponsorizuar thuajse çdo postim të tij në mënyrë që të përfitojë artificialisht më shumë shikueshmëri në rrjetet sociale.
Rritja e shikeshmërisë në rrjetet sociale, zakonisht sigurohet duke sponsorizuar postimet edhe për vende të lindjes së mesme të cilave u shfaqet në momentin që lundrojnë në rrjetet sociale.
Gazeta “TemA”, në vëzhgimin e saj publikoi një javë më parë një sërë sponsorizimesh të cilat kryedemokrati kishte bërë po për rrjetin social Facebook.
Ndërkohë, ironik është fakti se në materialet për të cilat shpenzohen mijëra para për audiencë artificiale, flitet për pako ndihmash ushqimore që kryedemokrati apelon që qeveria duhet të dërgojë në familjet e pamundura.
Mbase do të mjaftonte që në këto ditë krize, ato para që i paguhen Facebook-ut për like dhe share mund t’i vendosen në dispozicion strukturave të posaçme që po shpërndajnë ndihma ose vetë forumet e Partisë Demokratike të ndërmerrnin një operacion humanitar për njerëzit në nevojë.