Nga Mero Baze
Një çift francezësh ka mbetur në Llogara nga bllokimi i kufirit dhe po qendrojnë ne rulotën e tyre aty, bashkë me dy fëmijë. Nuk shihet asnjë stres në karantinën e tyre. Rrobat e lara i nderin në tela në mes të pyllit dhe kanë ndarë mendjen të qëndrojnë aty sa të mbarojë bllokimi i kufijëve. Nuk qajnë as ata për Francën, as Franca për ata.
Një tjetër çift hollandez ka mbetur në Lezhë dhe janë vendosur tek agroturizmi “Mrizi i Zanave”. Bile kanë filluar dhe të ndihmojnë me ndonjë punë aty. Dhe ata janë të qartë se nuk e kalojnë dot kufirin.
As Aeveria franceze dhe as ajo holandeze, nuk i ka evakuar dot, edhe pse ato janë vende të Bashkimit Europian, që kanë më shumë mundësi dhe fuqi për ta bërë riatdhesimin e çdokujt që mbetet jashtë kufijve.
Një pamje e kundërt shfaqet në Kakavijë dhe Kapshticë, për dy- tri ditë rresht, ku disa emigrantë shqiptarë, të qartë që kufiri është mbyllur prej gati një muaji. Edhe pse u është bërë e qartë nga pala shqiptare publikisht, por dhe policia greke konkretisht në kufi, ata u futen në tokën ndërmjetëse dhe përpiqen të viktimizohen si njerëz të lënë rrugëve.
Kjo papërgjegjësia e atyre qytetarëve, nxit pastaj dhe kafshërira politike si ajo e Sali Berishës, që kërkon “përleshje me policinë” . Në të vërtetë, njeriu që duhet arrestuar për nxitje dhune në kushtet e gjendjes së jashtëzakonëshme është Sali Berisha, i cili shpif duke cituar Konventa ndërkombëtare që të mashtrojë qytetarët. Rasti në fjalë nuk ka lidhje me asnjë detyrim të shtetit shqiptar për evakuim personash.
Shteti shqiptar nuk gjendet para ndonjë problemi evakuimi. Shqipëria në këtë rast, edhe pse rreziku është i vogël, gjendet para një agresioni, nga njerëz që duan të hyjnë në mënyrë të dhunshme në territor, duke thyer ligjin e jashtëzakonshëm të bllokimit të kufijëve. Ata njerëz janë subjekt i shkeljes së ligjit të jashtëzakonshëm, bile një ligji që nëse shkelet, mund të destabilizojë vendin.
Nxitësi i tyre Sali Berisha është 24 orë në gatishmëri të prodhojë skena të tilla. Para një muaji ulëriste pse i lejoni shqiptarët të vijnë nga jashtë në Shqipëri, përse nuk bllokoni fluturimet me Italinë, tani në mes të pandemisë, thotë pse i bllokoni 20 njerëz të mbetur në kufij.
Ata qytetarë nuk janë të braktisur askund, nga askush. Ata janë të arratisur nga shtëpitë e tyre në Greqi drejt Shqipërisë, minimumi me papërgjegjësi.
Edhe francezët që po flenë në Llogara, holandezët në Lezhë dhe dhjetëra italianë të tjerë në Vlorë e Durrës, mund të duan të ikin në vend të tyre, por nuk ikin dot. Nuk ikin dot se thyejnë mes të tjerash ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme atje dhe rrezikojnë shumë.
Nëse këta njerëz i ka nxitur dikush për qëllime fitimi, për t’i sjellë deri në Kakavijë dhe tani bën njeriun e dhimbsur, duhet hetuar. Por nëse janë nisur privatisht si njerëz të papërgjegjshëm, duhet të paguajnë për papërgjegjësinë e tyre.
Të gjithë kemi familjarë jashtë Shqipërisë të mbetur aty ku janë dhe nuk është as braktisje dhe as lënie rrugësh. Eshtë fat i keq i pandemisë botërore.
Këta mirë që na rrezikojnë të gjithëve me papërgjegjësinë e tyre, pro duan t’i shikojmë dhe si viktima, meqë u ka dalë zot Sali Berisha, t’i përdorë si ushtarë të revolucionit permanent që ëndërron.
Nk ka asnjë ligj apo moral, që detyron Qeverinë shqiptare, pasi ka mbyllur kufijtë në mes të gjendjes së jashtëzakonshme, të merret me njerëz që mbërrijnë në kufijtë tokësor për qejf të tyre. Karantina me lekët e tyre është më e pakta. Dekurajimi i kësaj papërgjegjësie ndoshta do ndëshkime edhe më të forta.
Vendmi i Qeverisë për t’i mbyllur ata në krantinë me shpenzimet e tyre është ndëshkimi më i vogël që mund t’i bëhet papërgjegjësisë në këtë kohë.