Pas thirrjes së bërë nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, drejtuar institucioneve të pavarura të drejtësisë, për përgjysmin e pagës, vjen reagimi i krerëve të disa institucioneve.

Kuvendi bën me dije se kësaj thirrjeje për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19 i janë përgjigjur BSH, Prokuroria e Përgjithshme, KLSH, anëtarët e KLHGJ, Avokati i Popullit, KLP e shumë të tjerë, që mund t’i lexoni më poshtë:

JA EMRAT QË U PËRGJIGJËN

Më datën 2 prill, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, iu drejtua me një thirrrje drejtuesve institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19.

Shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve iu përgjigjën menjëhere thirrjes dhe kanë marrë masat përkatëse.

Në Bankën e Shqipërisë thirrjes iu përgjigjën, përveç Guvernatorit Gent Sejko, edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, administratorët dhe drejtorët e Bankës.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, përvec përgjysmimit të pagës së vet, u bëri thirrje edhe vartësve të tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve të bëjnë të njëjtin veprim, si detyrim moral.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, mori vendim për përgjysmimin e pagës deri në fund të vitit 2020.

Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit I janë pergjigjur pozitivisht anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, IlirToska, Brikena Ukperaj, Dritan Hallunaj, Erjon Muharremaj dhe Fatmira Luli. Njëkohësisht KLDGJ u përcolli thirrjen e z. Ruçi të gjithë gjykatave për t’u solidarizuar në mënyrë vullnetare.

Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit i janë përgjigjur deri tani edhe Avokatia e Popullit Erinda Ballanca, Këshilli Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Konfliktit të Interesit, Shkëlqim Ganaj, Autoriteti i Mediave Audioviozive, Kryetari i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi; Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Juliana Latifi; Komisionerja për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha; Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Petrit Ahmeti; Kryetari i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Donald Duraj; Drejtuese e komanduar e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli dhe anëtarja eKomisionit të Prokurimit Publik, Lindita Skeja.