Nga Mero Baze

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mandatuar sot Abdulla Hotin për kryeministër të Kosovës, një dekret ky që u ankimua menjeherë në Gjykatën Kushtetuese nga Albin Kurti.

Shumica e re e ofruar nga LDK, përfshin ish- partitë e tjera të spektrit politik të Kosovës, përveç PDK, që preferon të qëndrojë në opozitë.

Edhe pse duket se bisedimet janë mbyllur, qeveria e re, nëse legjitimohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk do të sjellë asgjë të re në skenën politike, përveç rrëzimit të Albin Kurtit, i cili për hir të së vërtetës u vet-rrëzua, me shpresë që të marrë revansh drejt një shumice më të madhe.

Llogjike në këtë situatë ishte krijimi i një qeverie uniteti kombëtar, me njerëz teknikë, që duhet të përballonin situatën aktuale dhe të çonin vendin drejt zgjedhjeve të reja. Edhe pse Vetëvendosja do të ishte sërish kundër kësaj formule, mbështetja do të ishte më e gjerë.

Në kushtet kur po krijohet një qeveri në kufijtë e shumicës së nevojshme, me idenë që të qeverisë deri sa të mundet, ç’balancohet shumica që rrëzoi Kurtin.

Edhe pse LDK duket si aktori kryesor, në betejën me Kurtin, e vërteta që perceptohet në shoqëri është rivaliteti Thaçi- Kurti.

Ndaj qeveria e re do të duhejt të kishte doemos mbështetjen politike të PDK.

Është tjetër punë pjesmarrja në qeveri apo jo. PDK mund të qëndrojë larg qeverisë. Mirë do të ishte që dhe partitë e tjera të qëndronin larg, duke deleguar aty njerëz teknikë.

Por kuptimi i rrëzimit të qeverisë “Kurti”, është që të ruhet shumcia që e rrëzoi. Përndryshe kjo qeveri bëhet pa kuptim, dhe nuk plotëson dot asnjë mision të saj.

Mbi të gjitha, nuk mund të shkohet në bisedime me Serbinë me një qeveri me vota që varen nga pakica serbe.

PDK duhet të mbështesë pa asnjë kompleks politikisht këtë qeveri, ndryshe nuk do t’ia vlente një qeveri e re me personazhe të vjetra dhe dhimbje të re koke për pazare postesh.

Vetëm deklarimi i PDK se i jep votat kësaj qeverie, edhe pse nuk merr pjesë në të, çliron energji pozitive dhe i jep dorë të lirë kryeministrit të ri të ndërtojë një kabinet dhe administratë efikase, nëse ka ide të tilla.

Përndryshe, një qeveri me 64 vota dhe listën serbe brenda, është e pafuqishme për gjithçka i duhet Kosovës në të ardhmen. Ashtu siç ishte dhe qeveria konfliktuale e Albin Kurtit.

Për më tepër, është një qeveri jo përfaqësuese, pasi nuk e përfaqëson shumicën që rrëzoi Kurtin, dhe konfliktin real politik në Prishtinë, që është ai mes Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit.

Vet-rrëzimi i Albin Kurtit, është një vendim i tij, për të marshuar me pakicën e vet drejt një pushteti më absolut, më autokrat, dhe natyrisht, më konfliktuali që ka pas ndonjëherë Kosova.

Por përfshirja e PDK në çmontimin e qeverisë së tij dhe lënia e qeverisë së Abdulla Hotit në mëshirë të personazheve të vjetër të skenës politike të Kosovës, kam frikë se do ta ketë zhurmën e madhe dhe jetën e shkurtër.

PDK duhet të jetë garante politike e kësaj beteje, pa asnjë kompleks. Ndryshe duke qëndruar mënjanë, do të duket sikur përdor LDK-në dhe partitë e tjera për luftë me Kurtin, në pritje të betejës së saj. Pork jo vetëm sa i afron zgjedhjet e reja, pa zgjidhur asgjë.