Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë prezantimit të projektit të zonës zhvillimore në Fushë Krujë deklaroi se “plani i detyruar vendor i Fushë-Krujës është realizuar brenda kohës së kërkuar dhe nuk ka patur asnjë vonesë. Zona e evidentuar ka një sipërfaqe prej 10 ha dhe ndodhet vetëm 1 km larg nga qendra e qytetit. Kjo krijon një tjetër potencial të madh zhvillimi lidhet ngushtësisht me qendrën dhe krijon modelin e ri të zhvillimit”.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Edi Rama, ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe kryetarin e bashkisë Krujë, Artur Bushi, ministrja Margariti tha se “kjo zonë ndodhet në kryqëzim të rrugëve kryesore dhe zonës urbane, nuk ka pasur asnjë lloj konflikti për pronësinë private”.

“Nevoja për strehim për banesa individuale janë rreth 221 familje, në banesa kolektive 93 familje dhe në banesa individuale 128 familje, ndërsa 19 familje me shkallë dëmi DS4/D55 të ndodhura në rrezen prej 650 metër nga zona e zhvillimit do tu rindërtohet banesa individuale në në vendndodhjen aktuale. Ka nevojë për shërbime publike, do të ketë çerdhe, kopsht, qendër komunitare dhe qendër shëndetësore”, – nënvizoi Margariti.

Është menduar, vijoi ajo, nga arkitektët që kanë hartuar planin e zhvillimit të jetë e ndarë në dy hapësira, ku banesat kolektive janë konceptuar në seri grupimesh me 3-4 ndërtesa 5-katëshe që pozicionohen përgjatë rrugës kryesore.

“Ndërsa pjesa tjetër zhvillohet me ndërtesa një familjare duke u harmonizuar me zonën. Këtu do të jenë 128 njësi banesa në banesa individuale dhe 15 pallate ose 93 apartamente në zonën e banesave kolektive”, – shtoi Margariti.

Sipas saj, është studiuar edhe pjesa e infrastrukturës, kjo është një nga hapat që do të merret menjëherë pas miratimit të planit.

Ministrja duke prezantuar qasjen e arkitektëve se si e kanë menduar ata zhvillimin e zonës si në banesa kolektive dhe ato individuale tha se “kanë menduar dy boshte të rëndësishëm komunikimi. Këto dy boshte do të jenë me hapësira publike, hapësira ku do të ketë funksione të ndryshme. Kemi folur bashkë me kryetarin e bashkisë ku mund të jenë përveç qendrave komunitare, shëndetësore, por edhe funksione të tjera siç mund te jetë një merkato. Pra dy boshte që do të krijojnë atë impaktin social ekonomik për ta zhvilluar gjithë zonën, jo vetëm më si një zonë strehimi, por si një zonë zhvillimi ekonomik”.

“Zonat për zhvillim janë 10 ha, i është dhënë rëndësi edhe hapësirave publike, të cilat janë parashikuar në këtë plan rreth 3270 m2, po ashtu të gjithë hapësirat e gjelbra, i është dhënë gjithmonë shumë fokus që të mos jenë vetëm zona të identifikuara. Do të këtë hapësira sportive, parkime nëntokësore, shpeshherë në zgjedhjen që kanë bërë grupet e arkitektëve për të ulur edhe kostot e ndërhyrjes për parkimet në banesat kolektive kati përdhe krijon hapësira të mjaftueshme dhe për parkim të vetë banorëve”, – theksoi Margariti.

Ministrja u shpreh se “apartamentet i kemi ndarë njësitë në numra të miridentifikuar sipas familjeve që do të akomodohen, 22 apartamente 1+1, 25 apartamente 2+1 dhe 46 apartamente 3+1. Ndërtimi i banesave kolektive do të jetë jo më të larta se 5 kate. Projektimi i banesave kolektive me disa shërbime në katet përdhe do të krijojë pavarësi në nevojat e përditshme të banorëve, për të përdorur makinat e tyre për nevojat bazike duke krijuar kështu një stil jetese shumë të qëndrueshëm”.

“Jemi në një fazë të mirë, sepse kemi avancuar në shumë fronte, jo vetëm në masterplan, por edhe në skemën e infrastrukturës, edhe në skemën e objekteve publike, për mos të pasur vetëm si një zonë strehimi që është patjetër elementi që duam ta shmangim”, – tha Margariti.