Nga Ivan Krastev

Të bësh siç bëjnë të tjerët, kjo mund të të shpëtojë jetën. Në vitin 2015, persona të armatosur nga grupi militant al-Shabaab sulmuan një kolegj në Kenia. Ata morën peng studentët, duke treguar mëshirë vetëm për ata që mund ta vërtetonin se ishin muslimanë, duke recituar një frazë të rëndësishëm nga Kurani. Ata që nuk dinin do të pushkatoheshin.

Një studente e krishterë vëzhgoi se çfarë po ndodhte me shokët e saj studentë, dhe e mësoi shpejt frazën përmendësh. Siç argumenton Michelle Baddeley tek “Copycats”, vajza “shpëtoi jetën e saj përmes të mësuarit social, duke mbledhur informacione mbi zgjedhjet e të tjerëve dhe pasojat e tyre”.

Kjo logjikë e “kopjacit” shpjegon paradoksin qendror të reagimi evropian ndaj shpërthimit të koronavirusit. Kriza i ka detyruar shoqëritë të tërhiqen drejt nacionalizmit dhe jo të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Megjithatë, qeveritë po tregojnë njëkohësisht një entuziazëm të pakufizuar për të kopjuar të njëjtën paketë politikash, për të ndaluar transmetimin e sëmundjes – përkundër faktit se traditat sociale dhe gjendja e sistemeve shëndetësore publike, janë shumë të ndryshme në secilin shtet anëtar të BE-së.

Pse qeveritë që nuk ishin të gatshme të bashkëpunonin në fazat fillestare të krizës, janë kaq të etura tani, për të miratuar të njëjtat qasje politikash? Përgjigja mund të gjendet në dallimin e mprehtë midis politikës në një moment pasigurie dhe politikës në një moment rreziku, dallim ky i përshkruar nga ekonomisti amerikan Frank Knight në veprën e tij të vitit 1921, “Rreziku, Pasiguria dhe Fitimi”. Knight pohoi se, ndërsa e ardhmja është e panjohur, rreziku është i matshëm. Mund të vlerësohet duke përdorur të dhëna, me kusht që situata të ngjashme të kenë ndodhur edhe më parë. Pasiguria, nga ana tjetër, ka të bëjë me rezultate që ne nuk mund t’i parashikojmë.

Pandemia e Covid-19 ka qenë një moment i tillë pasigurie të pamatshme. Në fazat e hershme të krizës, kur testimi në masë nuk ishte i mundur, qeveritë nuk mund të peshonin kostot dhe përfitimet e politikave të tilla si distancimi social, ose mbylljet ekonomike. Në këtë skenar, mënyra më e përgjegjshme e veprimit është të supozosh më të keqen dhe të marrësh pozicionin më të fortë kundër rrezikut. Menaxhimi i rrezikut është punë e zakonshme e qeverive demokratike. Në mes të një pasigurie të tillë, qeveritë duhet të tregojnë gatishmërinë për të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme, edhe nëse nuk janë të sigurta për to.

Të bësh siç bëjnë të tjerët është e rëndësishme për të siguruar publikun se situata është nën kontroll – dhe për t’i bindur ata për domosdoshmërinë e qëndrimit në shtëpi, mbajtjen e maskave, mbylljen e bizneseve dhe respektimin me durim të çfarëdolloj politikash të tjera.

Imagjinoni për një çast sikur gjysma e vendeve në Evropë të kishin vendosur të hynin në bllokim, ndërsa të tjerët ë zgjidhnin shmangien e masave të rrepta. Presioni politik mbi qeveritë nga të dy palët për të ndryshuar kursin do të ishte pothuajse i padurueshëm. Imagjinoni tani sikur disa nga qeveritë demokratike të ishin futur në gjendje të jashtëzakonshme dhe të tjerat jo, ndërsa shpallnin shifra të njëjta për numrin e njerëzve të infektuar dhe që atyre që vdisnin nga virusi.

Tashmë Suedia është qeveria e vetme e BE-së që ka vendosur të refuzojë politikën e “distancimit social” dhe bllokimit ekonomik. “Njerëzit kanë filluar të pyesin: A janë të tjerët budallenj dhe paranojakë? Apo Suedia po bën gabim?”, tha për The Guardian Orla Vigso, profesore e komunikimit të krizave në universitetin Gothenburgut. Nëse spitalet suedeze mbingarkohen tani dhe numri i vdekjeve fillon të rritet, qeveria në Stokholm do të paguajë një çmim më të lartë politik, sesa homologet e saj në BE.

Por, megjithëse logjika e “kopjacit” ka funksionuar në mënyrë të arsyeshme, ndërsa qeveritë kanë mungesë informacioni të besueshëm në lidhje me krizën e koronavirusit dhe efektet e saj në ekonomi, situata shumë shpejt mund të ndryshojë. Vazhdimi i shkuarjes pas kopesë – ndërsa politikëbërësit fillojnë të përpilojnë më shumë informacione rreth përhapjes së Covid-19 në vendet e tyre (me fjalë të tjera, në një situatë kur pasiguria e pamatshme zëvendësohet nga rreziku i zakonshëm) – do të jetë gjë e gabuar.

Kur të vijë koha për të vendosur, kur dhe si shtetet duhet të fillojnë të lirojnë kufizimet e rrepta dhe si do të kompensojnë bizneset dhe punëtorët – Franca, Spanja dhe Italia kanë filluar t’i marrin në konsideratë këto opsione ndërkohë që kurba e infeksionit po sheshohet – një shumëllojshmëri zgjedhjesh dhe qasjesh, do të jetë për të gjithë shenja se po shkohet drejt politikave të shëndetshme. / FT – Bota.al