Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se programi i rindërtimit do të vijojë pa u ndalur dhe se fondi prej 20 miliardë lekësh për zhvillimin e këtij programi, padyshim do të ketë impakt në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Denaj shprehet se fondi për ndërtimin e 3400 shtëpive individuale brenda vitit është adresuar dhe po ndiqet e gjithë procedura e prokurimit.
Po ashtu, ajo bën të ditur se janë edhe 57 shkolla që parashikohet të ndërtohen këtë vit.
“Sektori i ndërtimit është një sektor shumë i rëndësishëm, pasi ne kemi në proces të gjithë paketën e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, duke patur parasysh edhe premtimin e qeverisë që brenda vitit ato duhet të jenë të mbaruara. Flasim për shtëpitë individuale të cilat janë aprovuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, ku fondi është adresuar dhe po ndiqet e gjithë procedura e prokurimit. Po ashtu janë 57 shkolla që pritet të ndërtohen këtë vit “, shprehet Denaj për ATSH.
“Detyrimisht ndërtimi, i cili ka një fond prej 20 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit, duke mos llogaritur fondin e marrë nga Konferenca e Donatorëve, do të kërkojë një fuqi punëtore, do të kërkojë një angazhim dhe në këtë aspekt edhe ndërtimi parashikojmë që shpejt të jetë një industri e hapur”, theksoi ministrja në një intervistë për ATSH.
Sipas saj, një kohë e mirë do të bëjë të mundur që ndërtimi të avancojë në mënyrë që shkollat t’i kemi gati në kohë.