Lidhja Demokratike e Kosovës brenda dy ditëve pritet të zyrtarizojë koalicionin me AAK-në, Nisma-në, AKR- në dhe minoritetet për të formuar qeverinë. Kështu ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi pas përfundimit të takimit të deputetëve me kryetarin, Isa Mustafa. Gashi tha se akoma nuk e kanë marrë mandatin nga presidenti Thaçi por sipas tij sa po të kryhen çështjet që kanë të bëjnë me formimin e koalicioneve dhe t’i formalizojnë mbi 61 deputetë do të njoftohen presidenti dhe do të lëshohet dekreti.
“Votë e mjaftueshme konsiderohet në momentin e nënshkrimit të koalicioneve. Ne akoma nuk kemi nënshkruar asnjë koalicion. Pra koalicioni është dakorduar shumica, por formalizimi i tyre me nënshkrim do të kryhet brenda ditës së sotme dhe nesër besoj”, tha ai. Megjithatë sipas tij, konsiderojnë se momentalisht i kanë 64 vota. Shefi i GP-së së LDK-së tha se sot nuk kanë diskutuar emrat për ministra.
Gashi tha se edhe Lista serbe do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës dhe njëri nga ministrat e Listës serbe mund të jetë zëvendëskryeministër. Sa i përket mundësisë që LVV-ja të dërgojë në gjykatën Kushtetuese, Gashi tha se letra e presidentit nuk ka bazë juridike, por sa i përket dekretit është e drejtë e kujtdo që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.