A po fshihet numri i viktimave dhe a ka një diferencim të qytetit të Shkodrës në bërjen e testeve për të zbuluar të infektuarit me COVID-19? Në përgjigjen e saj gjatë intervistës me gazetarin e Report Tv, Besard Jacaj, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se Shkodra është rasti tipik ku të prekurit me COVID janë zbuluar vetëm nga hetimi epidemiologjik, pasi shumica e të infektuarve kanë qenë pa simptoma.
“Në Shkodër nuk ka asnjë arsye të fshihet realiteti, përkundrazi. Rastet që janë gjetur në Shkodër janë gjetur nga hetimi epidemiologjik. Një pjesë e të infektuarve nuk kanë paraqitur asnjë shenjë. Nëse nuk do të kishte shkuar personi i shëndetësisë, ato raste nuk do ishin zbuluar. Këtu ka ndodhur e kundërta, jo akuza që po fshihen rastet, përkundrazi, kanë dalë rastet. Në Shkodër rastet nuk erdhën vet për t’u testuar, i zbuloi hetimi epidemiologjik”, tha Rakacolli.