Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi se marrëveshja e sotme prej 15 milionë eurosh për ndërtimin e shkollave në 5 zona të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit do t’u sigurojë ambiente të reja e sigurta edukimi 7500 nxënësve.

Në Tiranë u mbajt sot ceremonia e firmosjes së kontratës së parë të programit të BE për shkollat prej 15 milionë euro me Delegacionin Europian dhe përfaqësinë e PNUD-it.

Ministri Ahmetaj falënderoi Komisionin Europian për mbajtjen e premtimit të 17 shkurtit për grantin prej 115 milionë eurosh që ju akorduan Shqipërisë për rindërtimin pas tërmetit.

Ahmetaj bëri të ditur se në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit janë 103 shkolla të dëmtuara.

Sot, tha ai, një pjesë e mirë e tyre janë në proces prokurimi nga ana e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkisë Tiranë.

Firmosja e kësaj marrëveshjeje i shton kësaj liste edhe 22 shkolla të tjera.

“Kjo tregon që ne nuk jemi vetëm edhe në një kohë të vështirë si kriza e COVID-19 dhe se Bashkimi Europian e donatorë të tjerë janë sërish me ne”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Në këtë drejtim, ministri informoi se BE një ditë më parë ka aprovuar buxhetin prej 100 milionë eurosh në mbështetje të programit për rindërtimin për Shqipërinë.

“Nga ky fond prej 100 milionë euro do të rindërtohen shkollat, si dhe një pjesë objekteve të trashëgimisë kulturore”, tha ministri.

Motoja, vijoi ministri, se “ju nuk jemi vetëm”, nuk ishte klishe, por qëllim e do të bëhet realitet i qeverisë së bashku me donatorët.

“Premtimi i Komisionit Europian prej 115 milionë euro për të mbështetur rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 po bëhet realitet”, tha Ahmetaj.