Bashkia e Vorës ka planifikuar dy zona zhvillimore për fazën e Rindërtimit, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Kryetari i Bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj, gjatë një komunikimi të martën, bëri të ditur se në Bashkinë që ai drejton, janë regjistruar 2 499 aplikime nga qytetarët të cilët janë dëmtuar nga tërmeti 26-nëntorit, ndërsa nënvizoi se janë planifikuar dy zona zhvillimore, ku janë zhvilluar dhe dëgjesat publike.

“Bashkia e Vorës është një nga Bashkitë që u godit nga tërmeti i 21 shtatorit. Tërmet nga i cili doli jashtë përdorimit edhe godina e bashkisë së Vorës dhe banesat e disa familjeve. Me ndihmën edhet të Kryeministrit ne mundëm të rindërtojmë rreth 20 shtëpi, 20 familje, 15 janë të përfunduara dhe 5 janë në punë e sipër”,- tha Brahimaj.

“Në tërmetin e 26 nëntorit, Bashkia e Vorës ka qenë një nga bashkitë më të goditura. Menjëherë u mundësua krijimi i kampit për 330 banorë dhe që funskionoi për rreth 1 muaj dhe ishte një nga kampet model. Në Bashkinë e Vorës kemi 2 499 aplikime, 877 familje që marrin bonus qiraje, janë 400 çadra, dhe 12 kontenierë të tipit familjarë 30 metra katror secili”,- sqaroi Brahimaj.

“Kemi 1 137 aplikime për dëme të nivelit Ds1 dhe Ds3, si dhe kemi regjistruar 1 066 aplikime për dëmtimet të nivelit Ds4 dhe Ds5. Gjithashtu kemi regjistruar 557 aplikime, që janë pa akt konstatimi, nga të cilat janë bërë 111 aktkonstatime dhe do të vijojnë edhe me të tjerat, por që na ndaloi vrullin e punës pandemia COVID-19”,- tha Brahimaj.

“Në Bashkinë e Vorës janë për t’u rrëzuar 19 pallate, nga këto kemi dy zona zhvillimore, zona e Vorës dhe Zona e Marikajt. Kemi bërë dy dëgjesa, 27-28 shkurt. Në fillim në Vorë me banorët e Vorës dhe dëgjesa e dytë zhvillimore në Marikaj”,- shtoi Brahimaj.