Ornela, një stiliste e njohur, e cila deri “ dje” ka qepur fustanet skenike të këngëtarëve më në zë në vendin tonë, sot i është kthyer një akti shumë human.

Në atelienë e saj, tashmë nuk hyn asnjë. Duke respektuar fashën e orarit të qarkullimit ajo shkon që në mëngjes dhe nis qep maska, por jo me numra, por me shumicë.

“ Kam 21 vjet që kryej këtë profesion. Më vinte shumë keq kur shihja gra, nëna, të cilat për arsye të ndryshme dilnin dhe mbanin shallin duke mbuluar të gjithë fytyrën. E kuptoja që i mungonte maska. Fatmirësisht ato ditët e para kur COVID – 19 shpërtheu edhe tek ne, shkova në një dyqan ku tregëtonte metrazhe dhe bleva shumë metra napë si edhe llastik. Thuajse nuk më rëndoi në ekonominë time kjo gjë. Që nga ajo ditë edhe deri më sot nisa të qep maska . Ditët e para angazhova vajzën dhe djalin tim, të cilët janë nën moshën 16 vjeç dhe nisa ti dhuroj së pari fqinjëve të mi. Ato trokisnin lehtë në dyert e tyre dhe i dhuronin nga dy maska. Kanë kaluar rreth tre javë që nga ajo ditë dhe unë tashmë vijoj të bëj të njëjtën gjë”, – tregon Ornela.

Ky akt humanitar i Ornelës, lindi natyrshëm, ndoshta kjo ishte e vetmja ndihmë që ajo mund të japë në këto ditë të vështira që po kalojmë edhe ne si komb.

“Më vjen me të vërtetë keq që tashmë nuk e di se edhe për sa kohë do të më duhet të qep vetëm maska. Kjo stinë pranvere një vit më parë ishte ndryshe. Atelieja ime gumëzhinte më së shumti nga të rinj, maturantë të cilët nisnin të më sillnin copat e tyre shumë ngjyrëshe për të qepur fustanet e maturës, madje kishte dhe klientë të shumtë që pronotonin për t’i qepur fustanet për dasmat e shumta të prenotuara për në verë”, thotë Ornela.

E teksa vijon të qepë maska më së shumti për njerëzit në nevojë, Ornela ndjehet optimiste.

“Ndjehem me të vërtetë mirë, kur mendoj që maska ime ka shpëtuar deri më tani shumë njerëz për të mos u prekur nga virusi”, shprehet ajo.