Autoritetet e Moskës kanë thënë se kanë krijuar një aplikacion për të ndihmuar në kontrollimin e lëvizjes së banorëve gjatë izolimit për shkak të koronavirusit.
Udhëheqësi i Departamentit të Teknologjisë Informative në Moskë, Eduard Lysenko, ka thënë më 1 prill se programi, që është duke u testuar, nuk do të jetë i detyrueshëm për të gjithë banorët, por vetëm për ata që janë konfirmuar me koronavirus.
Ky aplikacion do të mbledhë të dhëna nga telefonat e mençur dhe më pas do t’i dërgojë ata në serverët e zhvilluesve të këtij shërbimi.
Ndonëse zhvilluesit e aplikacionit pretendojnë se telefonët do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë publike, disa kritikë janë të shqetësuar për qasjen që do të ketë ky program në të dhënat personale.
Vladislav Zdolnikov, autor i një kanali në rrjetin Telegram, ka thënë se pasi ka studiuar kodin e aplikacionit, ka gjetur se ai transmeton të gjitha të dhënat në administratën e qytetit të Moskës, që i bie se të dhënat potencialisht mund të arkivohen nga zyrtarët e qytetit.
E përditshmja, Kommersant ka thënë më herët se autoritetet e Moskës mund të detyrojnë banorët që të pranojnë disa kode në telefon, secilën herë që dëshirojnë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Deri më 1 prill, Rusia ka raportuar zyrtarisht për 2,777 raste të prekura me koronavirus, një rritje prej 440 rasteve nga dita e kaluar.
Një total prej 24 personave kanë vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton virusi.
Disa kritikë kanë akuzuar qeverinë për mosraportim të saktë të të dhënave rreth të prekurve nga kjo sëmundje.