Deri më tani në të gjithë botën janë shënuar më shumë se 194,000 vdekje nga coronavirusi dhe 2,7 milionë raste të personave të infektuar.
Ndikimi i virusit ka qenë shaktërrues dhe ekonomia po kalon fazën më të keqe që prej “Depresionit të Madh”, teksa 195 persona parashikohen të humbin vendin e tyre të punës.
Por në këtë fazë të pandemisë sytë janë drejtuar nga Kina, në vendin e origjinës së virusit, për të gjetur përgjigje.
Kritikët thonë se reagimi i vonuar dhe i dobët i trajtimit të situatës në fazat e para, nuk ndihmoi në parandalimin e përhapjes së tij në pjesën tjetër të botës.
Kina, në dhjetor të vitit të kaluar, identifikoi një virus të ri në Wuhan, të panjohur më parë, por autoritetet nuk e izoluan qytetin deri më 23 janar.
“Vonesa fillestare e Kinës dhe fshehja e qëllimshme e pandemisë i ka kushtuar shtrenjtë botës”, thotë korrespondenti i Euronews në Azinë Lindore.
“Autoritetet vendase zbuluan disa raste infektimi në tregun e ushqimeve të detit ‘Huanan’. Edhe pse zyrtarët e shëndetësisë dyshonin se ky treg ishte origjina e rasteve të para, ata nuk e ndaluan veprimtarinë e tij deri pas dy javësh, më 1 janar”, shton ai.
Autoritetet kineze gjithashtu detyruan heshtjen e disa mjekëve, si Dr. Li Wenliang, i cili u mundua të paralajmëronte epideminë. Më pas ai ndërroi jetë nga COVID-19.
Ndërsa Kina pretendon se në vend ka pasur 83,000 raste me coronavirus, studiuesit në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin e Hong Kongut, publikuan një artikull ku paralajmëronin se kjo shifër mund të jetë katër herë më e lartë.
Ndërkaq javën e kaluar, zyrtarët në Wuhan, deklaruan një numër të ri vdekjesh, duke e rritur numrin total me 50 për qind nën justifikimin e “raportimeve të përditësuara” dhe vdekjeve jashtë spitaleve.
Ky rishikimi i shifrave, katër muaj pas shpërthimit të virusit, ka shtuar më shumë dyshime në transparencën e Kinës që prej fillimit të pandemisë.
Studiuesi Filip Jirous thotë se “Liria e fjalës nuk është thjesht një marrëzi liberale e majtë”.
“Kjo mund të ketë ndikim jetësor, sepse nëse Kina do të lejonte fjalën e lirë, nëse do të kishte transparencë – pjesa tjetër e botës do të ishte e gatshme për tu përgjigjur më shpejt, dhe e gjithë kjo situatë nuk do të ishte kaq shkatërruese sa është tani”, shpjegon ai.
Por jo të gjithë janë kaq skeptikë për sa i përket përgjigjes së Kinës ndaj virusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka qënë lavdëruese ndaj qeverisë së presidentit kinez Xi Jinping, veçanërisht për urdhërimin e izolimit të vendit për parandalimin e përhapjen.
“Qeveria kineze duhet përgëzuar për masat e jashtëzakonshme që vendosi gjatë shpërthimit të virusit, pavarësisht ndikimit të madh shoqëror dhe ekonomik që këto kufizime do të sjellin në popullin kinez”, ka deklaruar drejtuesi i përgjithshëm i OBSH, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus më 30 janar.
Kina insiston se nuk ka fshehur asgjë në raportimet e saj.
“Nëse është faji i Kinës, që virusi arriti të shkonte përtej kufijve të saj, atëherë hidhini një sy shteteve të tjera. Sa raste janë regjistruar në shtetet aziatike të ardhur nga Europa? Dhe sa nga Shtetet e Bashkuara drejt shteteve fqinjë?” thotë gazetarja Zoon Ahmed Khan.
“Pra nëse Kina duhet ta kishte mbajtur virusin brenda kufijve, atëherë ky standard duhet të qëndrojë për të gjithë shtetet në botë”, shton ajo. (euronews)