Shërbimi i taksive nga një qytet në tjetrin po shihet si opsion dhe masa lehtësuese në vijim të javëve të ardhshme nga qeveria. Kryeministri Rama deklaroi sot se kjo do të jetë një nga masat e para që do të merren javën tjetër apo pas 10 ditëve.

Ai deklaroi se po studiohet kjo mundësi.

“Jemi duke e parë dhe besoj do të jetë një masat që do të marrim. E kam thënë edhe më parë do të jetë nga masat e shpejta që do merren. Nuk e di javës tjetër apo pas 10 ditësh, por di që jemi duke e parë dhe është një nga opsionet që po studiojmë”.

Ankesës së një qytetareje për ndalimin e frekuentimit të plazhit, Rama tha se “nëse ke një det privat dhe mund të ruash distancë nga të tjerët, edhe mund të shkosh. Por, çështja është që nuk ka det privat në dijeninë time dhe nëse hapet për ty, do të hapet për të gjithë. Nëse hapet për të gjithë nuk do të jesh vetëm, do të jesh me shumë të tjerë që do të notojnë, vrapojnë. Kështu që nëse shikoni masat e Greqisë të deklaruara, të publikuar sot, në plazhet private për një numër shumë të kufizuar personash kanë lënë hapësirë, në plazhet e tjera jo”.