31 raste te reja me COVID-19 janë shënuar 24 orët e fundit në Kosovë, duke e çuar numrin e të prekurve në 480, njofton Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Gjithashtu janë shëruar edhe 5 të infektuar të tjerë.

Sipas IKSHPK-së 24 orëve të fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 209 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore dhe me SARS-CoV-2, pozitiv janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e një (31) raste.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, të cilat janë raste kontakti, është si më poshtë: pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: dhjetë (10) raste Ferizaj, tre (3) raste Mirash, një (1) rast Mirosal dhe një (1) rast Kosinë), nëntë (9) raste nga komuna e Vitisë ( sipas vendbanimit: tre (3) raste Viti, tre (3) raste Gushicë dhe tre (3) raste Pozharan), dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Miradi e Epërme – Fushë-Kosovë, Skënderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok.

Gjithashtu janë shëruar edhe pesë (5) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tetëdhjetë e katër (84).

Më datë 17 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe një rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 70 vjeç nga Neredime e Epërme-Ferizaj, i konfirmuar me COVID-19 me datë 13.04.2020. Pacienti është referuar nga QMF-Ferizaj dhe hospitalizuar në Klinikën Infektive me 12.04.2020 në gjendje të rënduar. Pacienti ka patur sëmundje shoqëruese (Inflitrim pulmonar dhe Hipertension arterial).

Nga data 08 shkurt deri më 17 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 4.124 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej katërqind e tetëdhjetë (480) me dydhjetë (12) raste vdekjeje të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i detyruar të vetizolim si dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma.

Deri sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.828 kontakte të rasteve.

IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë masat e distancimit social dhe ruajtjen e distancës, me të paktën 2 metra kur janë në lëvizje.

Instituti Kombëtar garanton qytetarët se po e përcjell situatën epidemiologjike me të gjitha kapacitetet e veta ku askush që ka indikacione epidemiologjike dhe klinike për testim nuk mbetet pa testuar, duke përfshirë këtu edhe grupet e rrezikut (në radhë të parë personat e moshuar dhe me sëmundje kronike).