Treguesit më të rëndësishëm të gjendjes së pandemisë, kontrollit dhe përballimit të saj në përgjithësi në Shqipëri u dëshmuan sipas pritshmërive optimisteEuropa shenjoi numrin më të ulët të shtimit të të sëmurëve në ditë deri më sot, si dhe të jetëve të humbura në një ditë: 380 veta më pak se një ditë më parë
Të dhëna kontrastuese midis vendeve perëndimore dhe atyre të Lindjes e vendeve të rajonit tonë për treguesit e vdekshmërisë: në vendet e Perëndimit treguesit janë disa herë më të lartë.(Relacion i E-group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë”, ngritur pranë Akademisë së Shkencave, për treguesit kryesorë ditorë të përhapjes, kontrollit dhe përballimit të pandemisë së Corona-virus-it në vendin tonë, në Europë dhe në shkallë botërorë dhe për prirjet e pritshmëritë)
1. Treguesi i përhapjes së pandemisë në shkallë botërore rikthehet gjatë ditës së djeshme në shkallën 3.2 për qind, pas një “kërcimi” përkeqësues një ditë më parë. Në SHBA numri i të sëmurëve u rrit nën 4 për qind, ndërsa në Europë u shenjua rritja më e ulët deri sot, me 2.2 për qind.
2. Për Europën dukuri tjetër pozitive është vazhdimi në tërësi i trendit të uljes së numrit të jetëve njerëzore të humbura. Dje në kontinentin europian janë regjistruar nën 3.000 jetë të humbura, rreth 380 më pak se një ditë më parë, duke rezultuar numri më i ulët i vdekjeve në ditë deri më tani. Kjo ka ardhur kryesisht prej uljes së tyre në vendet kryesore europiane, si Italia, Spanja dhe Franca, të cilat e kanë kaluar fazën e pikut për humbjet në njerëz, periudhë që e përjetuan përgjatë 2-3 javëve radhazi këtë muaj.
3. Në Shqipëri treguesi i vdekshmërisë ka zbritur në 3.8 për qind. Ky tregues në shumë vende europiane varion nga nën 1 për qind në Islandë deri në mbi 13 për qind në Belgjikë, Itali dhe Francë. Në rajonin tonë vdekshmëria për shkak të pandemisë së Corona-virus-it luhatet nga nën 2 për qind në Serbi dhe Mal të Zi, deri në mbi 5 për qind në Slloveni e Greqi.
4. Sa i takon numrit të humbjeve njerëzore për një milion banorë, edhe për këtë tregues vërehet një kontrast midis vendeve perëndimore dhe atyre të Lindjes e vendeve të rajonit tonë. Shqipëria e Bullgaria kanë treguesin me pozitiv, gjegjësisht me 9 dhe 8 humbje për një milion banorë. Në vendet e Ballkanit vdekshmëria për një milion banorë shkon deri 28. Në Francë, Spanjë e Itali ky tregues varion nga 350 deri në 430, ndërsa në Gjermani e Austri, vendet me indeksin më të ulët në Perëndim, humbjet janë dëshmuar në nivelet 70 e 60 për një milion banorë.
5. Gjatë ditës së djeshme u konturuan qartë specifikat e ecurisë së pandemisë tek ne: a). Një rritje ditore e numrit të të sëmurëve rishtas në kufijtë e 2 përqindëshit në shkallë vendi; b). Rritje minimale në Tiranë e qendrat kryesore; c). Krijimi i një vatre të re në Krujë-Kurbin, e cila po frenohet, por që ndaloi përkohësisht uljen e numrit të të sëmurëve faktikë; d). Ritëm i kënaqshëm shërimesh, çka ka bërë që niveli i të shëruarve të jetë: 62.4 për qind në Tiranë, 54 për qind në Shkodër dhe nga 70 deri qind për qind në qarqet e tjera (ku nuk ka përhapje vatra e re). Pra, treguesit e përgjthshēm janë pozitivë dhe brenda pritshmërive optimiste. (www.akad.gov.al)