Nga Artur Ajazi – Në SHQUP, asnjëherë nuk e kanë ditur si mund të quhet një njeri që fiton betejën me të keqen. Atje “betejat” janë shpikur dhe janë fituar gjithmonë nga i vetmi dhe i fundit njeri, nga Doktor Berisha. Në SHQUP, nuk e dinë, dhe as nuk e kanë provuar se si fitohet, si luftohet, si nderohet, si përballohet, si kontrollohet dhe si mbahet fort fitorja, sepse i pari dhe i vetmi i tyre, nuk ka patur nevojë ta ushtrojë këtë “profesion”.
Të fitosh beteja sot, është sprovë e vështirë, dhe kjo vlen nga qytetari më i thjeshtë, deri tek kryeministri apo presidenti i një vendit. Në Shqipëri, sprova të tilla, i ka kaluar dhe po i kalon me sukses vetëm Edi Rama. Ky njeri erdhi në pushtet me votën e lirë të mbi 1 milion shqiptarëve, fitoi sërish pushtetin me votën e tyre, (madje pa aleatë) ngriti kollonat e shembura të shtetit ligjor, i hyri me inat rrugës së reformave, rreshtoi ish-opozitën të votonte reformën në drejtësi (paçka se pastaj doli kundër), ringriti ekonominë, biznesin, ringriti sistemin bankar dhe dinjitetin e shqiptarëve në Europë, ringriti forcën e ligjit, dhe erdhi një ditë që të përballej me sprovën e madhe….tërmetin e tmerrshëm të 26 Nëntorit 2019. E përballoi, e sfidoi, i sistemoi shqiptarët në kohë rekord, dhe arriti të marrë nga e gjithë bota ndihma, dhe një akord financiar mbi 1 miliardë euro për rindërtimin. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Edi Rama do të përballej sërish pas afro 90 ditësh, me një tjetër sprovë, kësaj here një “armik” i padukshëm, por shumë i rrezikshëm. Ishte i pari që e sfidoi, i vuri gjoksin, trupin, mëndjen, fuqinë ekonomike dhe potencialet njerëzore, për të mos rrezikuar jetën e shqiptarëve.
Në kohë rekord Edi Rama, “detyroi” dhe mbylli në karantinë (atë që akoma dhe sot nuk e kanë bërë edhe shumë vende) shumicën e shqiptarëve, ku nuk mungoi kujdesi maksimal për moshën e tretë. Nuk pyeti ky njeri, se kush do ta ndihmonte politikisht, nuk pyeti ky njeri as për lëvdata dhe ofiqe, ashtu siç nuk pyeti edhe për “gërricjet” e SHQUP-it, që vinin herë me deklarata dhe herë me video të regjistruara nga dhomat e montazhit nga sekretarët e “imunizuar”.
Edi Rama e ka fituar betejën, e ka fituar sepse ai është multidimensional, punon për shqiptarët, ekonominë e vendit, bizneset e tyre, punon për arsimin, shëndetsinë, dhe nuk harron edhe politikën e jashtme. Edi Rama nuk pyet shumë për “çimkat” që lëvizin në frëngjitë e SHQUP-it, pasi në të kundërtën, nuk do të kishte nisur dhe fituar asnjë betejë, siç ka bërë deri sot. Edi Rama ka patur gjithmonë fat në politikë, aq më tepër kur mendon dhe shikon se si kundërshtari i tij, përpiqet dhe përpëlitet ti ngjasë, ta kopjojë, ta godasë dhe ta dëmtojë me …..fitoret e tij. Ky është Edi Rama, njeriu i betejave, dhe në fund të fundit, e meriton ta quash pa mburrje dhe servilizëm, Burrë Shteti.