Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, i cili i hap rrugë nisjes së aplikimeve nga të gjithë të punësuarit në bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë për të marrë brenda 10 ditëve ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh.
Aplikimi bëhet përmes një procedure elektronike në llogarinë e-filing të çdo biznesi në tatime, ku administratori duhet të japë të dhënat e kompanisë, emrave të punonjësve dhe llogarive të secilit. Nga kjo ndihmë financiare nuk do të përfitojnë bizneset me aktivitet në fushën e shëndetësisë, farmaceutikës dhe produkteve ushqimore. Përfitime të kësaj ndihme nuk do të kenë edhe disa profesione që lejohet të punojnë.
“Nuk përfitojnë ndihmën punonjësit e regjistruar që ushtrojnë aktivitet në profesione të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek, laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë.”
Vendimi u jep pagesë në masën 40 mijë lekë të gjithë të punësuarve në sektorin e turizmit, të cilët rezultojnë të jenë të punësuar vetëm në një punë dhe punonjësve që kanë dalë nga sistemi i sigurimeve shoqërore deri në datën 10 Prill të këtij viti edhe nëse kanë qenë të punësuar në biznese të mëdha. Tatimet do të verifikojnë të dhënat dhe brenda 10 ditësh duhet të hedhin në llogarinë e punonjësve shumën, e cila do të jetë e vlefshme për periudhën Prill-Qershor të këtij viti.