Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në një intervistë për Report Tv tha se situata me koronavirusin deri më tani është e qëndrueshme. Ajo tha se në këtë fazë të pandemisë në Shqipëri, i rëndësishëm është fakti i numrit të të shtruarve në spital, një indikator ky qe jep një sinjal dhe lajm mjaft të mirë. Rakacolli tha se shumica e të sëmurëve janë në gjendje të mirë, dhe vetëm tre janë të intubuar.
“Numrat e tanishëm vazhdojnë të tregojnë që situata është e kontrolluar. Numrat nuk kanë qenë jashtë shifrave që na kanë bërë të mendojmë se do jemi në një situatë me numër të lartë të sëmurësh. Pavarësisht luhatjeve të vogla në numër, janë po aty njësoj, situata vazhdon të mbetet mjaft e kontrolluar. Pozitive është ulja e numrit të të shtruarve në spitale, me këtë fillon të matet graviteti. Kryesorja është që shumica e të sëmurëve nuk janë në gjendje të rëndë. Në repartin e kujdesit intensiv është një numër i vogël. Shenjat e mira të dominimit të epidemisë janë numrat e të sëmurëve që kanë nevojë për kujdes shëndetësor”, tha zv.ministrja.
Gazetari Besard Jacaj: Sa janë më rëndë?
Rakacolli: Më rëndë janë ata që janë të intibuar, tani janë rreth 3 të sëmurë të intubuar.