Situata makroekonomike dhe procesi i rimëkëmbjes pas pandemisë COVID-19, ishin në fokus të bisedimeve që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi përmes një takimi virtual me ekipin e Bankës Boterore, kryesuar nga zv.presidenti, Cyril Muller.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se Banka Botërore është një partner i rëndësishëm për Qeverinë Shqiptare dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të politikave të zhvillimit ekonomik te vendit.

“Mbetemi mirënjohës për gatishmërinë e treguar në vazhdimësi, me mbështetjen në programe zhvillimore të lidhura me aspektet fiskale të qeverisjes dhe për asistencën në përgatitjen e proceseve teknike në situatën emergjente të krijuar në vend pas tërmetit të nëntorit dhe pandemisë së COVID-19”, deklaroi ministrja Denaj.

Pjesë e ekipit të Bankës Botërore në takimin virtual me ministren Deaj ishte edhe pasardhësja e Muller, zv.presidentja e emëruar, Anna Bjerde.