Kryeministri në detyrë i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, duke komentuar zhvillimet e djeshme në vend, tha se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese veprimet e ndërmarra nga presidenti Hashim Thaçi, i cili dje ftoi në një takim gjithë partitë parlamentare për të diskutuar për formimin e qeversisë së re në kushtet kur nga LVV nuk ka patur reagim për kërkesën e tij që LVV duhej të çonte emrin e propozuar për tu mandatuar për krijimin e qeverisë. Kurti tha se me veprimet e tij Thaçi e ka nxjerrë veten në ilegalitet dhe se veprimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën. Duke theksuar se prioritet i tij ishte parandalimi i përhapjes së COVID-19, kryeministri në detyrë u shpreh se si presidenti dhe partitë politike nuk kanë asnjë kompetencë për të refuzuar zgjedhjet e reja të propozuara nga LVVdhe i ka quajtur ata ‘Klub i vjetër politik’.
I pyetur se a do ta lirojë zyrën e Kryeministrit në rast se në Parlament do të votohet një qeveri e re, Kurti la të kuptohet se janë të pakta shanset që një gjë e tillë të ndodhë. Për të, nuk do të ketë qeveri të re pa zgjedhje të jashtëzakonshme. Në takimin me partitë parlamentare, Presidenti Hashim Thaçi, pasi ka dëgjuar të gjitha qëndrimet e partive politike të cilat ishin kundër shkuarjes në zgjedhje të reja, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se do t’i japë mandatin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për krijimin e insistucioneve të reja.
Ai tha se qeveria rrejedh nga Kuvendi, prandaj sipas tij propozimi duhet të rrjedh nga partia politike apo koalicioni që mund të ketë gjasa për krijimin e qeverisë dhe që do të marrë votat e nevojshme për të krijuar qeverinë. Ndërkohë ish partnerja e Kurtit në qeveri, LDK ka nisur negociata me AAK e ish kryeministrit Haradinaj në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës në Kosovë. Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, kanë zhvilluar mes tyre një takim ku sipas deklaratave të dy liderëve është folur vetëm për lidhjen e koalicionit edhe për jo për ndarjen e pozitave. Takimi mes LDK dhe AAK ishte i pari në vazhdën e krijimit eventual të një koalicioni qeverisës. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe si dhe komunitetet tjera joshumicë, pasi që për formimin e qeverisë, Mustafës do t’i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend.