Në Shijak ka nisur sot prishja e disa shkollave të dëmtuara nga tërmeti, për t’i lënë vendin ndërtimit të shkollave të reja. “16 Shtatori” është një nga gjimnazet që do të prishet, ndërsa fatin e saj do ta kenë dy shkolla 9-vjeçare, si dhe një kopësht i qytetit.

Ndërkohë për ndërtimin e shkollave të reja janë realizuar projektet si dhe janë alokuar fondet, të cilat janë dhënë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Shkolla e cila po prishet sot është “16 Shtatori”, e dëmtuar nga tërmeti.

Mësohet se aksioni në fjalë është shtrirë në Vorë, Kamëz, Shijak, Kavajë, Krujë, Kurbin dhe Durrës.

Sipas IKMT-së, pas ekspertizave u vendos që të prishen 23 shkolla, 49 pallate dhe objekte të tjera me të vogla.

Më herët premtimi i kryeministrit Rama ka qenë se krahas menaxhimit të pandemisë së koronavirusit do të vijohet edhe me ndërtimin e subjekteve të shpallura të pabanueshme si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit që fatkeqësisht i mori jetën 51 personave në vendin tonë.