Ukraina ka vendosur të ndjekë shembullin e Shqipërisë dhe të dërgojë një ekip mjekësh në Itali për të ndihmuar kolegët në këtë vend të përballojnë situatën e krijuar nga virusi Covid-19 si dhe për të fituar më shumë eksperiencë.
Një ekip prej 20 doktorësh, duke përfshirë këtu kirurgë, neurokirurgë, anestezistë dhe infermierë do të vendosen në rajonin e Marche në Itali dhe do të qëndrojnë për rreth 2 javë.
“Sistemi shëndetësore kombëtar për momentin është shumë vështirë. Kemi nevojë të menjëhershme për personel dhe jemi të lumtur që Ukraina po na dërgon këtë lloj ndihme”, u shpreh ambasadori italian në Kiev, La Cecilia
Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov i cili shoqëroi ekipin e mjekëve që u nis drejt Italisë u shpreh se Ukraina do të dërgojë më shumë ndihma të tjera në Itali në ditët në vijim.
“Është një nder për ne të ndihmojmë Italinë në këtë kohë të vështirë. Shumë ukrainas jetojnë dhe punojnë në Itali. Duke ndihmuar këtë vend ne ndihmojmë kështu dhe qytetarët tanë”, u shpreh Avakov.
Momentalisht në Ukrainë numërohen 28 viktima nga koronavirusi dhe mbi 1000 të prekur, por numri pritet të rritet pasi shumë qytetarë që punojnë jashtë janë kthyer në vend.
Disa ditë më parë Shqipëria dërgoi një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh për të ndihmuar Italinë në përballjen e saj me pandeminë koronavirus.