Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka dhënë lajmin e mirë se është përmbyllur procesi për parkun energjetik më të madh në vend, atë të Karavastasë.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Balluku, njoftoi gjithashtu se janë paguar mbi 690 punonjës të rafinerisë së Ballshit, teksa sqaroi se kompania ALB Petrol, ka ndërprerë nxjerrjen e naftës për shkak të goditjes që ka pësuar ky sektor nga koronavirusi.

Balluku gjatë fjalës saj, bëri të ditur se brenda 5-6 majit do jenë 3 200 qytetarë shqiptarë të riatdhesuar.

“Pranvera ka ardhur dhe gjithçka do shkojë më mirë sesa duket. Sot kemi arritur të përmbyllim procesin për parkun energjetik më të madh në vend, atë të Karavastasë prej 140 mega. Për 30 minuta ky proces mbyllet dhe në dijeninë time, sapo kam folur me stafin e Ministrisë, janë dorëzuar një varg kërkesash nga kompani shumë të mëdha ndërkombëtare dhe kryesisht europiane dhe ky është një lajm i shkëlqyer dhe është një proces që do të mbyllet me sukses”,- tha Balluku.

“Dhe tashmë një projekt do të ecë përpara pasi në mars u detyruam të ndalonim të gjitha projektet prioritare, parkun e Karavastasë apo Aeroportin e Vlorës. Tashmë ka ardhur koha t’i rikthemi planeve tona dhe punës. Ka ardhur koha që projektet prioritare që nxisin rritjen ekonomike të ecin përpara, kështu që mes lajmeve të këqija ka lajme të shkëlyera si ky sot”,- nënvizoi Balluku.

“Do desha t’ju informoja mbi çështjen e riatdhesimit. Deri më sot kemi sjellë, duke nisur nga data 18 prill, 2 350 qytetarë dhe parashikohet që deri më datën 5-6 maj të kemi arritur mbi 3 200 qytetarë shqiptarë që janë ndodhur jashtë vendit në momentin e mbylljes së kufijve nga COVID-19”,- sqaroi Balluku.

“I gjithë ky proçes ka qenë një proces i komplikuar dhe shpesh herë i vështirë, sidomos për ata qytetarë që janë ndodhur edhe jashtë Europës. Kemi pasur raste në Egjipt, Tajlandë, apo SHBA dhe Kanada, por ia kemi dalë me sukses”,- theksoi Balluku.

Ajo shtoi se “karantimi vijon të jetë i detyrueshëm dhe të vetmet raste që ka përjashtim, janë rastet e pacientëve me diagnozë të rëndë, ose rastet e minorenëve, siç kemi shumë fëmijë që kthehen nga shkollat në Turqi që duhet të karantinohen vetë, nëpër familjet e tyre dhe policia e ndjek hap pas hapi këtë ecuri. Dua t’ju kujtoj se masat e reja do të vendosen në ditët në vijim pasi edhe procesi i hapjes tashmë ka nisur. Zonat e gjelbërta do të zgjerohen, por deri në atë moment i gjithë procesi vijon në të njëjtat kushte dhe parametra”,- tha Balluku.

Duke folur për sektorin e naftës, ajo tha se puset janë mbyllur për shkak se depozitat janë plot dhe gjithashtu Balluku bëri me dije se reforma strukturore në Alb Petrol për momentin është pezulluar.

“Do doja t’i informoja deputetët e zonës së Fierit për dhënien e pagës për punonjësit e rafinerisë së Ballshit është realizuar. Mbi 790 punonjës kanë marrë pagën e akorduar prej 40 mije lekësh, apo 400 mijë lekëve të vjetra. Do vijojmë të shohim dhe për një zgjidhje aftgjatë për këtë problem social që punonjësit e rafinerisë së Ballshit ndeshin herë pas herë”,- tha Balluku.

“Një çështje tjetër që ka të bëjë me sektorin e naftës është edhe situata e kompanisë shtetërore Alb Petrol. E gjendur në një situatë të vështirë, pasi niveli i naftës ka arritur çmimin më të ulët, shpesh herë edhe negative, kemi qenë të detyruar që për shkak të depozitave të mbushura, puset tona të mos jenë më operative. Megjithatë një vendim tjetër që kemi marrë, është se është pezulluar deri në një vendim të dytë, në normalizim të situatës procesi i ristrukturimit të Alb Petrol, një proces i nisur disa muaj më parë”,- përfundoi ministrja Balluku