Nëse javën e ardhshme do të kete një ulje të numrit të të prekurve me koronavirus, qeveria përmes akteve normatike do të ndryshojë oraret për lëvizjen e qytetarëve duke i çliruar ato.
Sipas zv/ministres së brendshme, Rovena Voda duke parë situatën mund te kete disa lehtesi.
“Sigurisht nëse do të shikohet se do të ketë një lloj stabiliteti, pra nuk do të ketë një rritje tepër të madhe, apo në rastin më të mirë do të ketë rënie, ajo çka thënë edhe Kryeministri, besoj se do të bëhet duke çliruar oraret e kufizimeve me akte normatike, apo ajo çka është më e rëndësishme duke mundësuar rifillimin e aktiviteteve në disa sektorë të veçantë që janë jetik për ekonominë shqiptare”, deklaron Voda per vizion plus.
Nga 16 mars, janë vendosur me mijëra gjoba nga policia e shtetit për këmbësorët, shoferët e automjeteve dhe për bizneset që nuk kanë respektuar oraret e vendosura përmes aktit normative të qeverisë për masat e marra ndaj koronavirusit.
Sipas Vodës, qëllimi i këtyre masave ka qënë sensibilizimi i qytetarëve për rrezikun ndaj COVID-19, ku sipas statistikave zyrtare vihet re një ndërgjegjësim i qytetarëve për të respektuar oraret e lejuara të lëvizjeve.
“Nga 16 marsi deri më 31 mars kemi patur 1843 masa administrative për qytetarët, që nuk kanë respektuar rregullat e karantimimit. Po kështu kemi patur edhe 188 masa administrative për subjektet tregtare, që nuk kanë respekjtuar oraret e mbylljes së aktivitetit të tyre. Ka patur 1100 masa administrative për automjetet që kanë lëvizur pa patur një autorizim të caktuar apo kanë thyer orarin e lëvizjes së tyre”, tha zv.ministrja e Brendshme.
Më heret drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu përmes një mesazhi vlerësoi sakrificat dhe përkushtimin e të gjithë efektivëve të policisë në këto ditë të vështira në zbatim te masave kundër COVID-19.