Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, u shpreh sot se qeveria ka vënë në dispozicion të fermerëve instrumente për nxitjen e kreditimit të bujqësisë.
Gjatë një takimi sot me fermerë në Lundër të Tiranës, Krifca tha se, “aksesi në financim është një nga çështjet kryesore për investimet në bujqësi. Është ende i vështirë kreditimi i bujqësisë nga bankat, pasi konsiderohet një sektor me risk të lartë. Ndaj shteti në 2015, krijoi fondin e garancisë me 150 milionë euro financim i qeverisë shqiptare dhe BERZH, për të mundësuar financimin e fermerëve”.
“Shteti pra del garant në bankë që fermeri të kreditohet. Ky është një mekanizëm dhe instrument i rëndësishëm në dispozicion të fermerëve. Janë 6 banka që e ofrojnë këtë produkt dhe një institucion mikrofinanciar. Për këtë çështje, ju mund të informoheni tek Agropika e cila ju ndihmon si të veproni”, – theksoi ajo.
“Krahas kësaj, tha Krifca, ne kemi arritur që kontrata që fermeri ka me AZHBR-në, t’i shërbejë bankës si garanci për kreditim, duke mos i kërkuar kolateral shtesë fermerit dhe duke i dhënë mundësinë ta përfitojë këtë financim”.
Shteti kërkon që këto financime të merren nga fermerët, deklaroi Krifca.