7 204 mjete të transportit publik janë liruar nga pagesa e taksës vjetore, një shumë prej 170.1 milionë lekësh që do të paguhet në buxhetin e shtetit nga vet institucioni përgjegjës për mbledhjen e kësaj takse, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor nga të ardhurat e saj.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ky është shembull solidariteti nga DPSHTRR për sektorin e transportit rrugor të pasagjerëve në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

“Një ent publik me vetëfinancim, nisur nga rezultatet e mira për 2019-ën ofron, nga të ardhurat e veta të akumuluara, të mbulojë 100% taksën vjetore, për gjithë vitin 2020. Nga kjo paketë solidare në vlerën 170 .1 milionë lekë përfitojnë 7 204 mjete”, thuhet në deklaratën e MIE-s.

Automjetet që përfitojnë janë të kategorisë autobus (mbi 8+1), transport qytetës, transport rrethqytetës, transport ndërqytetës, shërbime të rastit (turistik brenda e jashtë vendit), ndërkombëtar të rregullt, transport për personel, transport për llogari të subjekteve brenda e jashtë vendit.

Ky mbështet njëkohësisht subjektet e lartpërmendura, buxhetin e shtetit dhe direkt bashkitë, të cilat përfitojnë 25% të taksës vjetore.

Institucionet përgjegjëse do të mundësojnë që brenda majit kjo paketë të hyjë në fuqi. Ata që i kanë paguar, do të kompensohen në momentin e pagesës së taksës pasardhëse.