26 maji i vitit 1996 mbahet mend si dita e vrasjes së zgjedhjeve të lira në Shqipërinë post-komuniste.Ish-truproja e Berishës, Izet Haxhia, në një nga dëshmitë e tij në DITA ka rrëfyer edhe ato që di për ngjarjet e atyre ditëve që e shenjuan historinë e mëvonshme politike të vendit.Më poshtë, pjesë nga intervista e dëshmitarit Haxhiaj:Kanë kaluar shumë vjet, por edhe sot e kësaj dite, Izet, flitet për zgjedhjet e manipuluara të 26 majit 1996. Çfarë dini ju për këtë ngjarje?

Kjo nisi që me fushatën elektorale, në shumë qytete i prishëm mitingjet e opozitës, në të tjera nuk u lejuan as të hynin në qytet për të takuar elektoratin. Kjo fushatë drejtohej nga Shërbimi Informativ dhe një segment i caktuar i policisë. Ky segment përbëhej kryesisht nga militantë të PD-së që filluan punë në polici thjesht se dëshmonin bindjet e tyre të verbra, jo për përgatitjen apo profesionalizmin e tyre.Në 26 maj ka pasë një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë strukturave që drejtoheshin nga SHIK. Kanë vepruar si gestapo. Berisha i ndiqte zhvillimet nga vila numër 4. Aty erdhi Gazidede me urgjencë kur u mor vesh tërheqja e të gjithë komisionerëve të majtë nga votimet dhe nga numërimi i votave. Fillimisht mbaj mend që na shkaktoi habi e hutim, por pastaj shtoi oreksin për mbushjen e kutive. Në disa zona u hodhën brenda kutive të votimit edhe fletëvotimet rezervë që ruhen për raste emergjente, gjë që çoi që disa rezultate të kutive të votimit të dilnin 120 për qind. As në kohë të Enverit nuk dilnin kështu. Vidhnin sikur po realizonin normat e prashitjes në atë kohë.

Kush ka ardhur tjetër në vilë veç Gazidedes?Erdhi Sabri Godo që ishte në koalicion me PD në ato zgjedhje, dhe dukej që ishte i shqetësuar. Pasi doli nga takimi me Berishën, e dëgjova që tha “ishalla do dali për hajër kjo punë, se mua nuk po më ngroh aspak kjo gjë”.Gjithsesi Berisha kërkoi të hapej fjala që kishim informacione që tërheqja e së majtës nga votimet ishte skenar i parapërgatitur me urdhër nga Nikolas Gejxh, një antishqiptar i njohur. Por të vjen habi se si SHIK-u që survejonte çdokënd që donte në Shqipëri, nuk kishte arritur ta zbulonte më parë një skenar të tillë.

Mbaj mend që kur erdhi reagimi i parë nga të huajt ishte nga ana e ODIHR-it, që i quante zgjedhjet me shumë parregullsi e manipulime, kundërpërgjigja nga ana e PD-së ishte se edhe këta vëzhgues ishin të manipuluar dhe pjesë e komplotit të së majtës për sabotimin e zgjedhjeve të lira.Erdhën dhe përfaqësues të SHBA që ofruan një formulë që u pranua edhe nga e majta për zgjidhjen e krizës, që me anë të shortit të zgjidheshin 45 zona elektorale dhe të kryhej votimi në to nën vëzhgimin e rreptë të institucioneve ndërkombëtare. Kjo nuk u pranua nga Berisha.Dy ditë më vonë, më 28 maj, në sheshin Skënderbej është parë një dhunë e egër kundër opozitës. Ju si e kujtoni atë ditë, Izet?Sot pas shumë vitesh, nëse më lejoni, unë mendoj që 28 maji është fillimi i kthimit të pushtetit të PD-së në një pushtet fashist dhe policisë në një polici partiake. Rrahja që ndodhi ishte e pamëshirshme. Ai grupi i politikanëve të opozitës bashkë me përkrahësit e tyre nuk kalonin as të dyqind vetat.

Kush e kreu këtë akt dhune?U krye nga pjesëtarë të policisë sekrete dhe të atyre të forcave speciale. Si operacion drejtohej nga dy persona: Nga Agim Shehu dhe Bashkim Gazidede.Ti vetë çfarë mban mend nga ajo ditë?Atë ditë tek sheshi kam takuar ministrin e Brendshëm të asaj kohe (Agron Musaraj). Edhe ai ishte i habitur. Më tha çfarë po ndodh kështu. Ai me gungën në kokë me siguri që ka dhënë urdhër për këtë (e ka fjalën për Agim Shehun). Situata nuk ndodhej nën kontrollin e tij. Kjo ishte ajo që kuptova.Ju vetë Izet nuk keni ushtruar dhunë?Edhe unë jam bërë pjesëtar i kësaj dhune. Kam goditur një gazetar sepse m’u drejtua mua, më tha “çfarë po bëni, o kafshët e Berishës”. Për mua gjëja më e turpshme dhe më e rëndë ka qenë rrahja nga ana e policisë dhe SHIK-ut e profesor Servet Pëllumbit. Për profesor Pëllumbin pavarësisht nga bindjet, kam patur dhe kam respekt. Atë ditë është rrahur edhe masakruar edhe “gjenerali” i mëvonshëm i rebelimit, me urdhër të veçantë po të “gjeneralit” të mëvonshëm të shtypjes së rebelimit, Gazidedes.

Arben Imami?Po. Kjo rrahje është bërë për arsye personale, sepse Imami gjatë një seance të parlamentit në vitin ‘96 ka sharë me libër shtëpie Gazideden që ishte në lozhat e këtij parlamenti. Gazidede nuk e kishte harruar këtë dhe ia ktheu borxhin Arbenit më 28 maj.Ishte edhe koha kur lideri i opozitës së atëhershme të majtë Fatos Nano ishte në burg.Në burg është një fjalë jo e saktë, sepse pas vendimit përfundimtar të gjykatës për dënimin e tij dhe çuarjen në burgun e Bënçës, Fatos Nano e kaloi pothuajse gjithë kohën e burgut nëpër brigjet e Jonit në Sarandë. E përdorte si hotel burgun.

Megjithatë, në atë kohë Nano ishte nhë armik politik i Berishës, apo jo?Dikur në ato vite edhe unë mendoja që ata ishin armiq të betuar të njëri-tjetrit. Por koha tregoi se ata ishin “armiq” vetëm me fjalë, derisa aleancën e tyre të fshehtë e bënë legale aty pas viteve 2000.Dua t’u tregoj një fakt interesant që unë e mësova rastësisht nga një i afërm në Stamboll, mik dhe bashkëpronar i spitalit ku Nano bënte operacionet estetike të rinimit të tij. Në mos gaboj, ka qenë viti 2004. Në bisedë e sipër ai më thotë, “në spitalin tim ku ndodhet Nano, erdhi edhe Berisha dhe qëndruan gjatë me njëri-tjetrin”.

Nuk është e mundur, thashë.Por në mbrëmje, në lajmet e televizioneve turke pashë që Berisha ndodhej në Turqi me ftesën e Mesut Yilmaz për inaugurimin e një centrali në Gebze të Turqisë, financimi i një firme me emrin ENKA. Duke ditur lidhjet e Berishës me këtë firmë italiane dhe me ortakun e saj turk Sharik Tara, kuptova që edhe ky takim i Nanos me Berishën ishte bërë.Unë sot jam i bindur që “armiqësia” e Nanos me Berishën ka qenë vetëm në pjesën e dukshme, ndërsa në prapaskenë ka patur një aleancë të djallit mes tyre. Sic jam i bindur që fijet e saj i luanin si të donin duar që nuk ia kanë dashur kurrë të mirën Shqipërisë. Këtë e kam thënë disa herë dhe i qëndroj fort.