Ministria e Shëndetësisë raporton se janë shënuar 9 raste të reja me koronavirus në Shqipëri, gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 782 numrin total të të infektuarve. Sipas MSH, rastet e reja janë në dy bashki të vendit, 5 raste në Tiranë dhe 4 në Krujë, duke i kthyer këto dy bashki në dy vatrat më të nxehta të virusit, i cili është përhapur kryesisht nga fasoneritë.
Deklarata e plotë e Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik:
Si çdo ditë, Ju informojmë për situatën e deritanishme të përhapjes së COVID19 në vendin tone. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 245 persona të dyshuar me COVID-19 nga veriu në jug dhe vetëm në dy bashki kemi të prekur, ku përkatësisht në Tiranë kemi 5 persona që kanë rezultuar pozitivë prekur dhe në Krujë kemi 4 të prekur. Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 782 qytetarë. Prej tyre janë 488 të shëruar.
Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme. Harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Për këtë arsye, përvec zonave që kanë qenë të paprekura nga COVID 19, është zgjeruar harta e zonave të gjelbërta, edhe me ato bashki që momentalisht paraqesin risk më të ulët të transmetimit të infeksionit.
Aktualisht në vendin tonë janë 263 pacientët aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive. Ky është nje tregues që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale. Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.