Avokatja Adriana Kalaja është shprehur mëngjesin e sotëm se përfaqësuesit e Aleancës për Teatrin që janë dhe kanë qenë në shesh nuk i kanë dërguar asnjë letër kryetarit të opozitës Lulzim Basha.
Në fjalën e saj në ABC News Kalaja ka theksuar se ajo shkresë është dërguar nga persona të paguar nga pushteti i Ramës dhe kjo duket qartë sipas saj nga pikat që ishin pjesë e saj që ishin kërkesa partiake.
“Aleanca që ka qenë në shesh dhe që janë dhunuar, ne që po bëjmë peticionin në të gjithë Shqipërinë nuk i ka bërë asnjë shkresë Bashës, por e kanë bërë njerëz që duan të përfitojnë nga kjo ndërtesë dhe nuk kanë objekt mbrojtjen e Teatrit.
Pasi dhe të shikojmë kërkesat kanë karakter partiak që i shërbejnë këtij sistemi kriminal, për ti treguar Ramës se janë krimine.
Ne nuk i kemi bërë asnjë shkresë dhe e falenderojmë Bashën dhe të gjithë opozitën që kanë qenë në shesh dhe nuk kanë ndikuar në lëvizjen tonë në mbrojtje të teatrit.
Pika e parë e jona është të zbardhet e vërteta të shkojnë para përgjegjësisë përgjegjësit, këto janë lojëra dhe të paguar nga Rama”, është shprehur aktivistja Kalaja.
Ndër të tjera aktivistja ka theksuar se në lidhje me prishjen e teatrit do të dalin para përgjegjësisë të gjithë fajtorët.
Gjithashtu Kalaja ka bërë me dije se ato si Aleancë Tashmë kanë gati dhe kallëzimet penale për secilin përgjegjësit e përfshirë në prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
“Ne po përgatisim kallëzimet penale, dëgjoj se pse nuk u bë apo nuk bëhet referendum, pse nuk dërgohet në gjykatën Administrative pezullimi i punimeve, që të kërkosh shpërblim dëmi është e rëndësishme që disa persona të dalin para ligjit.
Do të bëjmë kallëzim penal për tentativën e vrasjes që është bërë atë natë artistët janë kërcënuar, por qetësia e mbrojtësve të teatrit bëri që mos kishim derdhje gjaku. Kur ka filluar shembja e teatrit brenda ka pas persona. Ne e dimë shumë mirë se çfarë është bërë.
Kallëzimi tjetër ka të bëjë me vendimin e prishjes, pasi akti i këshillit bashkiak nuk ka tagër të marrë vendim për prishje në një kohë kur nuk ka as lejë ndërtimi. Vendimi i prishjes është falsifikuar me 14 maj dhe me 17 maj ato erdhën për ta prishur në kohën që u tha se këshilli nuk ka tagër për një vendim të tillë.
Ligji e tregon qartë se vendimi botohet pas 10 ditësh në fletoren zyrtare, dhe jo në atë hark kohor që ndodhi. Të gjithë do të paraqiten para ligjit dhe për ato veshje historike që kanë përdorur artistët, të cilët i varrosën”, është shprehur aktivistja.