Nga Mustafa Nano/
Në monologun e fundit unë bëja thirrje që Rama, Berisha e Meta të largoheshin nga politika. Asnjëri nuk ma vuri veshin. Madje, Meta duket se ka vendosur ta fillojë lojën nga e para, me frymëzime të reja, me entuziazëm të ri, me ideale të reja.
Dhe ideali kryesor i Metës është nacionalizmi, sovranizmi, anti-ambasadorizmi. Tamam-tamam, anti-amerikanizmi. Këtë ideal e ka përqafuar nga halli, jo nga qejfi. E ka si një last-resort.
E ka si të vetmen lëvizje që i ka mbetur. Le t’i lidhim pak kohët e veprimet e personazhit në fjalë. Apo edhe të Berishës. Përpara se të miratohej paketa e ligjeve të reformës në drejtësi, Sali Berisha e Ilir Meta nuk lanë gur pa lëvizur për ta sabotuar atë, për t’ia ndryshuar thelbin, për të minimizuar rolin e ndërkombëtarëve e për të rritur rolin e palëve politike shqiptare në atë reformë.
Në këto përpjekje e sipër u futën në konflikt me ambasadorin amerikan që, në emër të vendit të tij, ishte investuar fuqimisht në këtë reformë. Ky i fundit filloi t’u bënte kërcënime të drejtpërdrejta, madje në një plan diplomatik harbute e të pacipa. Por funksionuan këto kërcënime. Meta e Berisha u tërhoqën. Zunë t’i qurraviten e jargaviten ambasadorit amerikan. Jo vetëm kaq. Ata u detyruan të shkonin në Parlament, bashkë me 140 deputetë të tjerë, për të votuar në favor të një ligji, me të cilin nuk ishin fare dakord.
Ishte shumë poshtëruese. Ishte poshtëruese për ta, por edhe për ne të tjerët. Sepse po shihnim se si njerëz të fuqishëm në Shqipëri, që kishin qenë kryeministra e presidentë, po trajtoheshin si lecka nga një ambasador. Po pse e lanë veten të trajtoheshin ashtu? Sepse ishin të zhytur në gjiriz deri në grykë. Sepse ndërgjegjen e kishin të ndotur. Sepse u ishte mbushur mendja që të huajt dinin për ta gjëra që nuk duhej t’i dinin. Ndiheshin të pambrojtur. Ndiheshin të kërcënuar. Kështu ndihen edhe sot. Dhe çdo lëvizje e aksion publik e bëjnë nën efektin e kësaj frike.
Berisha përcjell mesazhe çdo ditë. Dhe ka vetëm një qëllim: I është mbushur mendja se do ta fusin në burg, i është mbushur mendja se këtë gjë e duan amerikanët, dhe ai kërkon t’i thotë ambasadores amerikane se nuk do ta kenë të lehtë të veprojnë ndaj tij, se ai ka në dorë opozitën, për rrjedhojë ka në dorë stabilitetin e vendit. Berisha po i bie këmbës, që ambasadorja amerikane t’ia vari pak, t’i kërkojë një takim. Por ajo e torturoi. Nuk i ka kërkuar një takim. Dhe gjasat janë që të mos i kërkojë asnjë takim.
Ambasadorja duket sikur ka ardhur në Shqipëri me një listë gjërash që nuk duhet t’i bëjë, dhe një pikë e kësaj liste është: Mos tako Sali Berishën. Dhe kjo është vuajtja e Berishës. Është hera e parë që një ambasador amerikan e shpërfill. Dhe këtë ai e merr si shenjë të fundit të tij.
Ky është edhe halli i Metës. I është fiksuar që amerikanët nuk e duan. Madje, më keq akoma, që e duan në burg. Dhe kështu, ai ka kohë që flet veç për burg. Ose për vdekje. Fillimisht përmendi Allenden, duke lënë të nënkuptohet se do të vrasë veten. Më pas përmendi Vojo Kushin, Avni Rustemin, Isa Boletinin, Mic Sokolin. Para ca ditësh tha se mafia ndërkombëtare ka bërë plan që ta vrasë.
Të vjen keq që Presidenti i Republikës është në këtë gjendje. Por duhet ta kishim pritur që kjo të ndodhte. Ju kujtohet momenti kur Ilir Meta u zgjodh President? Ai ishte i dëshpëruar. Nxinte e sterronte. Dukej sikur po i vinin prangat, në një kohë që sapo e kishin zgjedhur President të Republikës, që është posti e përgjegjësia më e nderuar e republikës së Shqipërisë. Njeriu, kur është në politikë, e ëndërron atë moment, pasi është kurorëzim i një jetë të tërë. Ndërsa atë po e çonin atje me pahir. Nuk donte, por nuk refuzonte dot. Nuk merrej vesh pse nuk refuzonte dot, por fakti është që nuk refuzonte dot. Do kishte bërë mirë të refuzonte.
Do kishte bërë mirë edhe për vete, por edhe për ne të tjerët, pasi nuk do kishim në presidencë që njeri që flet për burgun, për vdekjen, për vetëvrasjen, për mafien ndërkombëtare, për lobe ruse në administratën amerikane, për mbrojtjen e Kosovës e të Shqipërisë prej shteteve të bashkuara të Amerikës. Kjo është rruga ku është futur së fundmi Ilir Meta. Është rruga e mbrojtjes së shqiptarëve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.