Koronavirusi është krijuar në laborator? “Nuk ka prova shkencore!”

Është kjo deklarata e bërë nga Anthony Fauci, anëtar i task forcës së ngritur në Shtëpinë e Bardhë, për emergjencën e koronavirusit, gjatë një interviste për ‘National Geographic’.

Në ditët e kaluara Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se ka prova se origjina e virusit është në një laborator në Wuhan, një tezë e mbështetur edhe nga sekretari i shtetit Mike Pompeo, i cili foli për “prova të shumta” kundër Kinës.

Mirëpo Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se koronavirusi është me origjinë natyrale.

Këtij mendimi i qëndron edhe Fauci, duke dalë hapur kundër Trump.

“Nëse shihet evolucioni i virusit tek lakuriqët e natës dhe çfarë ka jashtë, është e pavend të mendosh që virusi është manipuluar artificialisht. Evoluimi në kohë tregon se ky virus ka evoluar në natyrë dhe më pas ka kaluar te njeriu”, thotë drejtori i National Institute of Allergy and Infectious Diseases në SHBA.

Sipas tij, virusi nuk do të zhduket lehtësisht, madje do të jetë në qarkullim dhe do të rikthehet.