Në ditën Ndërkombëtare të Infermierit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, Klodiana Spahiu shpërndanë karajfila në shenjë mirënjohjeje për stafin e infermierëve në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, të cilët janë në vijën e parë të luftës përballë COVID-19.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se falë punës së mjekëve dhe infermierëve, sot Shqipëria ka numrin më të ulët të viktimave në Europë.

“Ju shpreh mirënjohje për atë për atë kujdes që keni treguar ndaj të gjithë personave që u trajtuan në spitalin COVID 2 dhe dita e infermierëve nuk është rastësi, që përkon pas ditës së Europës. Janë dy gjera që për Shqipërinë janë shumë të lidhura me njëra–tjetrën. E para, drejtimi i Shqipërisë mbetet ai i integrimit europian dhe e dyta, falë jush dhe kujdesit tuaj të veçantë, ne jemi ndër vendet e para në Europë sa i përket numrit të vogël të jetëve të humbura. Edhe pse çdo jetë e humbur është një fatkeqësi për çdo familje shqiptare”, tha Balla.

Ai u shpreh se “sot ne kemi mundësi të shohim përpara”. “Sot janë konstatuar vetëm 4 raste të reja. Të urojmë që të shkojë drejt përfundimit kjo situatë e cila ishte e jashtëzakonshme e që duhet të kalojë një brez për të kaluar një situatë e ngjashme si kjo. Na është dashur që brenda 3-4 muajve të kalojmë 2 fatkeqësi. Faleminderit infermierëve dhe mjekëve, sepse pa ata nuk bëhet protokolli mjekësor”, deklaroi Balla.