Banka Botërore i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt të ratifikojë marrëveshjen për ndarjen e 50 milionë dollarëve, të cilat janë ndarë për luftimin e pandemisë.
Përmes një komunikate, Banka Botërore ka njoftuar se sapo ka finalizuar negociatat me Qeverinë e Kosovës për një Projekt të Emergjencës COVID-19 për Kosovën në shumën prej 50 milion dollarësh amerikanë.
“Gjatë muajit të fundit, Banka Botërore ka punuar intensivisht me Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe Ministrinë e Shëndetësisë për t’u dakorduar për projektin e emergjencës, i cili do t’i ndihmojë Kosovës në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, si dhe do të forcojë sistemin e shëndetësisë publike të vendit”, thuhet në komunikatë.
Projekti, sipas Bankës Botërore, përfshin prokurimin urgjent të pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore për sektorin e shëndetësisë, forcimin kapaciteteve të testimit dhe zbulimit të hershëm të COVID-19, përmirësime dhe zgjerim të kapacitetit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive, dhe mobilizim të personelit shtesë shëndetësor.
“Ai përfshin edhe mbështetje të përkohshme për përfituesit e Skemës së Ndihmës Sociale dhe amvisëritë që kualifikohen për mbështetje në bazë të Planit Fiskal Emergjent. Në mënyrë që të fillojë zbatimi i projektit, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore me një shumicë prej 2/3 të të gjithë deputetëve. Ne presim mbështetjen e fortë të të gjithë deputetëve në mënyrë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në komunikatë.
Projekti është pjesë e një programi të Bankës Botërore që pritet të kalojë shifrën prej 120 milionë dollarësh dhe që ka për qëllim të mbështes Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19./rel