Nga Ilir Yzeiri/

Kur flitet për dhunën ndaj gazetarëve i jap vetes të drejtën të flas për shumë arsye. E para, si gazetar aktiv që nga viti 1991 nuk e kam ndërprerë punën asnjëherë, madje as në vitin 1997 kur të gjitha gazetat u mbyllën, «RD »-ja i vuri kyçin gazetës dhe drejtuesit e saj u arratisën në Maqedoni. Bash në atë kohë unë nxirrja gazetën « Tribuna » që më vonë e bëra « Bulevard » dhe me një grusht njerëzish, ishim ndër të paktët që qëndronim pranë PD-së dhe kundërshtonim dhunën e egër që kishte plasur në vendin tonë pas rënies së skemave piramidale.

Edhe atëherë edhe sot nuk e kam ndryshuar bindjen se dhuna sidomos ndaj institucioneve të shtetit dhe policisë ka qenë e dënueshme po aq sa edhe krimi që bën ata që lejuan skemat piramidale. Në atë kohë jam kërcënuar e dërguar në prokurori disa herë, por kurrë nuk e kam bërë të madhe, sepse kjo është pjesë e punës sonë.

Në gjykatë kam përfunduar edhe më vonë, përkatësisht në vitin 2012-`13 nga Tritan Shehu dhe Fondacioni « Zoja e Këshillit të Mirë » kur me reportazhet investigative dhe me disa shkrime kam denoncuar tjetërsimin 100 mijë ha tokë që u nis të bëhej spitali i « Nënë Terezës » dhe përfundoi në universitet privat duke e blerë gjithë atë tokë me vetëm 1000 euro. Por këto janë hioostori të tjera.

Edhe sot edhe atëhere kam pasur dhe kam bindjen se ai që niset të protestojë për një kauzë të drejtë, sipas tij, duhet të llogarisë edhe pasojat që mund të jenë lëndimet, gazi lotsjellës e kështu me radhë. E kam përmendur edhe në një shkrim tjetër se protestuesit jelekverdhë në Francë numërojnë mbi 40 e ca persona të plagosur mes të cilëve dhe nga ata që kanë humbur syrin kur policia i ka qëlluar me plumba plastikë për t’i shpërndarë, por askush në Francë nuk akuzon Makronin për diktaturë dhe policinë për polici diktatoriale. Edhe aktori i famshëm Joaquin Phoenix, disa muaj më parë, bash atëhere kur ishte në kulmin e suksesit pas rolit të famshëm me JOKER, u ndalua dhe u shoqërua në polici gjatë një manifestimi në Capitol Hill për ambientin vetëm pse kishte dalë me duar në xhepa në atë manifestim.

Ndërkaq, një dhunë tjetër, shumë më e egër se ajo që pretendohet se po ushtrohet ndaj gazetarëve është konsumuar në një studio televizive ndaj një prej gazetarëve më të mirë që Shqipëria ka në këto momente. Ky është Karlo Bolino. Ai që e fyen, e dhunon dhe e përflet është Sali Berisha dhe vendi ku kryhet ky krim është studioja televizive e Blendi Fevziut në prani të gazetarit Lorenc Vangjeli. Karlo Bolinoja, pas atij sulmi fyes, denoncoi menjëherë një person nga Sukthi, por me banim në Novara të Italisë se e kishte kërcënuar me vdekje. Në vetvete kjo është një ngjarje e rëndë për shumë arsye.

E para Sali Berisha ka kohë që nuk po sillet si një burrë shteti serioz. Ai ka marrë rolin e gangsterit politik dhe ligjërimi i tij është më i egri, më i ndoturi, i mbushur me gjithë fjalët e errëta që edhe fjalori nuk i ka. Ai shan, fyen, mallkon nga mëngjesi në darkë Edi Ramën, kryesisht, por edhe gazetarët që e kritikojnë apo që tregojnë ato që në opinionin publik perceptohen si krime të kryera prej qeverisjes së tij. Kujtoni se çfarë ka bërë me Artan Hoxhën apo me Mero Bazen e plot të tjerë që u përmend motrat e gratë. Ky është i vetmi politikan i lartë shqiptar që si gangster provincial merret me gazetarët. As Fatos Nano, të cilit shtypi ndonjëherë i pat rënë në qafë me tepri, as Ilir Meta, që për hir të së vërtetës nuk ka ditë që të mos anatemohet nga mediat dhe gazetarë të veçantë, as Edi Rama nuk janë marrë kurrë me gazetarët. E them me bindje kurrë. Vetëm Sali Berisha i sulmon ata dhe pastaj, pas tij, vërsulen si qenër edhe militantët fanatikë dhe fyejnë e kërcënojnë gazetarët si në rastin e Bolinos.

E dyta, Blendi Fevziun unë e çmoj si gazetar dhe ai ka meritën e padiskutueshme në formatin « Opinion », të cilin e promovoi bash në kohën më të rëndë të krizës shqiptare pas vitit 1997. Nuk kam qenë kurrë në stidion e tij dhe nuk e kam peng një gjë të tillë, por, siç e thashë, e çmoj. Ndërkaq, veçanërisht këto vitet e fundit ai format nuk është më ambienti ku publiku dëgjon mendime të ndryshme dhe merr informacion. Prej kohësh Fevziu e ktheu atë në një ring me grushta fjalësh dhe sharje dhe ai vetë u bë një nga nxitësit e kësaj përlasjeje. Me këtë format Fevziu ka infektuar gjithë tolk-showt e mbrëmjes të cilat janë bërë tmerri i publikut në çdo mbrëmje. Mirëpo nuk është vetëm kjo. Fevziun e çmoj kur ka përballë Bashën apo Ramën. Ndaj tyre nuk kursen as edhe një pyetje nga ato që do të donte t’ia bënte secili nga ne atyre të dyve, pavarësisht nga mungesa e etikës. Ndërkaq, ky Fevzi që bëhet agresiv më Ramën e Bashën, bëhet si pulë me Berishën dhe i jep atij mundësinë që të shajë, të kërcënojë e të fyejë cilindo. Jo vetëm që nuk është etike të shash e të kërcënosh në një ambient publik dikë që nuk është aty, por, në qoftë se ti e lejon, atëherë ti je bërë njësh me të. Vetëm njëherë Sali Berisha nga gjel është bërë si pulë, kur përballë tij ka qenë gazetari Mustafa Nanon i cili nuk e ka lënë të bëje heroin por ia ka numëruar të gjitha cenet që ka ai si figurë politike në këtë vend.

Dhe e fundit. Nëse do të bëhet ndonjë ditë histori e shtypit pluralist në Shqipëri tre katër emra do të përmenden me siguri dhe ata, sipas meje janë : Nikollë Lesi me gazetën « Koha jonë » në vitet e para të pluralizmit kur ndërtoi një shtyp opozitar ndaj një regjimi që u shfaq si antikomunist. Dritan Hoxha për vizionin që pati për ndërtimin e medies dixhitale dhe televizive në Shqipëri, Karlo Bolino për gazetarinë informative dhe të kronikës me « Gazeta Shqiptare ».

Në rastin e kërcënimit dhe shpifjeve ndaj Bolinos është shkelur edhe kodi i nderit i shqiptarit. Berisha do të duhej të ishte bartës i kësaj vlere, por ai, përkundrazi, bën të kundërtën. Karlo Bolino ka zgjedhur të jetë shqiptar, pra të jetëojë me ne dhe të marrë shtetësinë tonë. Në vendin e tij në Itali janë me mijëra shqiptarë që jetojnë dhe vlerësohen. Karlo Bolino, ashtu si shumë gazetarë të tjerë në këtë vend, ka treguar dhe ka informuar publikun si një gazetar perëndimor. Ka ndërtuar dy medie dhe ka kaluar në studiot e tij me dhjetëra gazetarë, ndoshta me qindra. Sot ai ka marrë në përdorim një ambient të rrëgjuar për të ndërtuar jo një shtëpi të tijën dhe as një vilë, por një stacion televiziv ku do të punësohen gazetarë dhe teknikë shqiptarë. Le të mos harrojmë dhe një fakt. Karlo Bolino është ndoshta i vetmi pronar mediesh që nuk i vonon pagat për personelin e tij as edhe një ditë të vetme.

Mirëpo ta sulmosh Bolinon nga studiot e tv Klan pronari i të cilave ka marrë me mijëra e mijëra ha tokë pikërisht nga ai gangster që akuzon Bolinon, kjo Fevzi, në heshtje, të bën dhe ty njësoj si ai djali nga Sukthi që kërcënoi me vdekje Bolinon ne messengerin privat.