Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, komenton procesin e shkrirjes graduale të përfaqësive diplomatike mes Shqiperise e Kosovës. Ai ndalet gjithashtu në angazhimin e Tiranës, për të ndalur fenomenin e tërheqjes së njohjeve nga shtetet e treta, sa i përket Republikës së Kosoves. Cakaj flet gjithashtu edhe për gjendjen në Preshevë dhe pozitën e shqiptarëve atje.
Zoti Ministër, Lugina e Preshevës, ka qenë dhe është një nga zonat shqiptare më të persekutuara. Shumë është folur si nga Tirana zyrtare, si nga Prishtina Zyrtare, por pak është bërë. Janë mjaftuar me disa libra shqip, e shumë pak ndihma. Janë thirrur drejtuesit politikë shqiptarë të Luginës sa në Tiranë e sa në Prishtinë, por në fund të ditës, ata vijojnë të mbetën shqiptarët me të persekutuar në Rajon. Konkretisht, përtej retorikave dhe takimeve për “show”, çfarë është bërë këto vite për shqiptarët e Luginës së Preshevës? Çfarë nuk është bërë si duhet? Çfarë duhet bërë patjetër që mos të themi pas një viti sërish që ata banorë atje, janë ende më të diskriminuarit në Rajon?
Kontributi i drejtpërdrejtë i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet vështruar në mënyrë realiste dhe brenda kufizimeve objektive. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne nuk kemi dhënë vetëm fjalë boshe për konsum të brendshëm politik, por realisht kemi pasur një përpjekje sistematike për të rritur ndjeshmërinë ndërkombëtare për situatën e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo është e dukshme prej shprehjes së vazhdueshme të shqetësimeve tona, te partnerët ndërkombëtar deri tek konferencat e përbashkëta për publikun që kemi organizuar me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës. Për më tepër, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, kemi demantuar politikën e zvogëlimit të numrit të shqiptarëve nëpërmjet pasivizimit të adresave kryesisht në Komunën e Medvegjës por jo vetëm, mosnjohjen e diplomave (pas)universitare të Republikës së Kosovës që realisht kufizon angazhimin e një numri të konsiderueshëm profesionistësh atje, mohimin e të drejtës për përdorim të hapur të simboleve kombëtare, si dhe nënpërfaqësimin në institucionet shtetërore krahasuar me peshën e tyre politike e të tjera.
Sidoqoftë, nga fillimi i vitit të shkuar e tutje, kemi ndërmarrë një varg masash për ta rritur komunikimin me përfaqësuesit politikë dhe për të mbështetur konkretisht, në kuadër të mundësive, Luginën e Preshevës. Për herë të parë, për shembull, është marrë vendimi për ta mbështetur financiarisht në mënyrë të rregullt Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi atje.
Po ashtu, kemi dhënë një ndihmë shtesë financiare për restaurimin dhe funksionalizimin e Qendres Kulturore (multifunksionale) në Komunën e Bujanovcit. Kemi bërë gjithashtu ndryshimet e nevojshme ligjore për të hequr nevojën e lejeve të punës dhe pengesave të tjera burokratike për t’iu lehtësuar qasjen në tregun e punës në Shqipëri, jo vetëm shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por edhe të gjithë shqiptarëve në rajon. Në mënyrë të vazhdueshme është ngritur edhe shqetësimi për mosnjohjen nga Serbia të diplomave (pas)universitare të marra në Republikën e Kosovës për qytetarët e Luginës së Preshevës. Kjo e pamundëson shërbimin profesional të një numri të konsiderueshëm të kuadrove shqiptarë në Luginë. Ndërkohë janë edhe duke u vazhduar përgatitjet për sigurimin e 9 titujve të teksteve mësimore për nxënësit e asaj hapësire.
Për më shumë, Ministria e Arsimit të Republikës së Shqipërisë ka ofruar qasje në platformën digjitale të mësimit online – akademia.al – për nxënësit e Luginës së Preshevës.
Në të njejtën kohë, ne tashmë kemi filluar edhe procedurat për çeljen e Konsullatës së Përgjithshme atje, që do të shërbente si qendër e rëndësishme e mbështetjes, përkujdesjes dhe komunikimit mes Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve të gjithë Luginës së Preshevës. Me një fjalë, tashmë ekziston një qasje më dinamike sa i përket mbështetjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ndërkohë është biseduar edhe një plan për ngritjen dhe funksionalizimin e një fondi të përbashkët mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për mbështetje sistematike të gjithë asaj hapësire. Sidoqoftë, për shkak të tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 dhe bllokadës totale të shkaktuar nga pandemia COVID-19 menjëherë në 2020, procesi i jetësimit të këtij projekti është ngadalësuar. Sidoqoftë, përderisa ende mbetet shumë për të bërë për Luginën e Preshevës, prioriteti kryesor në këtë fazë është mbështetja për koalicionin e Luginës së Bashkuar për zgjedhjet e ardhshme.
Për herë të parë, me ndërmjetësim të Shqipërisë, Partia për Veprim Demokratik (PVD), Alternativa për Ndryshim (APN), Partia Demokratike (PD), Lëvizja Reforma në PDSH (LRPDSH) dhe Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD), kanë rënë në ujdi për të garuar me një listë e program të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Kjo realisht është e arritura më domethënëse politike e kësaj kohe. Bashkimi i tyre për të mbrojtur dhe lartësuar interesat kombëtare të shqiptarëve atje është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Atje mund të ketë dallime partiake, apo vizione të ndryshme për qeverisjen lokale, por kur interesat kombëtare të shqiptarëve të jenë në pyetje, përgjigja e tyre duhet të jetë e përbashkët dhe
e njejtë.
Thënë shkurt, koalicioni i Luginës së Preshevës mbart një rëndësi të jashtëzakonshme politike për tre arsye themelore: e para, kjo shton instrumentet dhe zgjeron fushëveprimin për të problematizuar një numër politikash në disfavor të favorit politik shqiptar atje; e dyta, për herë të parë tashmë ekziston një program i përbashkët ideopolitik vis-a-vis Serbisë pavarësisht dallimeve të tyre partiake për çështjet komunale; e treta, bashkimi i tyre përçon një mesazh shumë të rëndësishëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët duhet të krijojnë një politikë të konsoliduar në raport me Serbinë dhe jo të kapërthehen në qarkun vicioz të kundërthënieve të tyre sa i përket pushtetit lokal. Qeveria e Shqipërisë ka luajtur një rol qëndror për të mundësuar arritjen e këtij koalicioni.
Prandaj, duke mos anashkaluar për asnjë moment rëndësinë e angazhimeve të tjera për ta mbështetur Luginën, përqëndrimi ynë kryesor tani duhet të jetë tek mbështetja e fuqishme e koalicionit të partive politike shqiptare atje.
Kush duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për ata, Tirana zyrtare apo Prishtina? Dhe a kanë dy qeveritë një plan të mirëfilltë për atë zonë, apo plani ndryshon sa herë ndryshojnë qeveritë këtej dhe andej “kufirit”?
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë, natyrisht, përgjegjësi të përbashkëta për të mbështetur jo vetëm shqiptarët e Luginës së Preshevës por të gjithë rajonit
në përgjithësi. Në këtë pikë, ne duhet të zhvillojmë një politikë afatgjatë dhe komplementare.
Ne synojmë zhvillimin e një politike të jashtme tërësisht të bashkërenduar dhe të shterrojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit të mundshëm në arenën ndërkombëtare. Për këtë shkak, më 2 korrik 2019 në Tiranë, kemi firmosur marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në politikën e jashtme që, ndër të tjera, parasheh edhe ngritjen e Këshillit të Përbashkët për Planifikim Strategjik. Ky mekanizëm duhet të shërbejë për ndërtimin e një programi të qëndrueshëm të dy vendeve për shqiptarët në rajon përtej rrotacionit të qeverive. Megjithatë, ndërkohë ne kemi ruajtur komunikimin me përfaqësuesit e Luginës dhe kemi qenë në unison të plotë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve atje. Për shembull, unë dhe homologu im nga Kosova, z. Glauk Konjufca, nuk kemi kursyer asnjë përpjekje dhe kemi dalë me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të koalicionit të partive shqiptare atje. Një ndërmarrje të tillë e ka mbështetur fuqimisht edhe Presidenti i Republikës së Kosovës,
z. Hashim Thaçi. Prandaj, qasja politike e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, ka qenë krejtësisht koherente në mbështetje të Luginës së Preshevës.
Të kthehemi tek Kosova. Në betejën e vazhdueshme mes Prishtinës dhe Beogradit, ku njëra palë kërkon të rrisë numrin e njohjeve, e pala tjetër bën gjithçka për të tërhequr ato, duket sikur Tirana ka qëndruar në heshtje. Të gjithë politikanët në Shqipëri deklarojnë që Kosova është temë kryesore diskutimi në çdo takim me shtete që nuk e njohin atë, por nuk kemi dëgjuar deri më sot asgjë për shtete që e kanë njohur dhe kanë tërhequr më pas njohjet. Çfarë është bërë konkretisht në këtë fushë? Nëse është bërë gjë.
Fushata për tërheqjen e njohjeve të Republikës së Kosovës është e papranueshme për Republikën e Shqipërisë. Për këtë çështje, ne asnjëherë nuk kemi qenë në heshtje: pothuajse nuk ka komunikim për media apo forum rajonal a ndërkombëtar që nuk e kemi denoncuar fuqishëm këtë fushatë në shpërputhje të plotë me përpjekjen për normalizim të marëdhënieve mes dy vendeve. Së fundmi, para pak ditësh në Takimin e Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kam kërkuar jo vetëm njohjen universale të shtetësisë së Kosovës por edhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara. Pra, gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka qenë më e zëshme se kurdoherë në demantim të politikave të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës e në mbështetjen ndërkombëtare të vetë Republikës së Kosovës.
Në bashkërendim të plotë me përfaqësuesit institucionalë në Kosovë, ne kemi qenë të përfshirë fuqimisht në fushatën për sigurimin e njohjeve për Republikën e Kosovës. Sidoqoftë, kjo është një çështje tepër e ndërlikuar që varet prej politikave të disa prej forcave më të mëdha ndërkombëtare. Një pjesë e konsiderueshme e punës sonë është bërë jashtë vëmendjes mediatike pikërisht për të mos dëmtuar shumë procese në zhvillim e sipër. Sidoqoftë, nënvizoj se Shqipëria, brenda mundësive të saj, do të vazhdojë punën e saj të pakursyer në funksion të sigurimit të njohjeve për Republikën e Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Është folur për Ambasada dhe Konsullata të Përbashkëta, madje dhe ju keni artikuluar tezën e marrjes së diplomatëve të Kosovës në përfaqësitë e Shqipërisë në ato vende që nuk e kanë njohur. Në çfarë faze është ky projekt dhe çfarë pritet të sjellë konkretisht, pasi kur diçka niset ka një projekt për pritshmëritë.
Ngritja e ambasadave e konsullatave në hapësira të përbashkëta është një prej elementeve kryesore të marrëveshjes që kam nënshkruar me z. Pacolli në Tiranë. Ky projekt është i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për racionalizimin e shpenzimeve financiare dhe logjistike, por edhe rritjes së përfaqësimit e fuqizimit të pozicionit të përbashkët në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht disa problemeve dhe vështirësive të natyrave teknike, duhet kuptuar se ky është një proces afatgjatë dhe duhet të vazhdojë patjetër. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës momentalisht kanë dy konsullata (Mynih/ Gjermani, Milano/ Itali), një zyrë përfaqësimi konsullor (Kopenhagen/ Danimarkë) dhe një ambasadë me hapësirë të përbashkët (Kambera/ Australi).
Tani jemi duke planifikuar edhe zgjerimin e kësaj praktike në një varg vendesh tjera. Për këtë qëllim, kam zhvilluar një numër korrespodencash zyrtare me z. Pacolli dhe z. Konjufca. Theksoj se ekziston një vullnet i dyanshëm për të vazhduar me këtë projekt. Menjëherë sapo të mbyllim disa çëshje të nevojshme mes nesh, do të vazhdojmë me ndjekjen e procedurave me vendet përkatëse për hapjen e përfaqësive me hapësira të përbashkëta diplomatike dhe konsullore. Ky është një projekt politikisht shumë domethënës dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në shërbim të zhvillimit e zgjerimit të rrjetit diplomatik e institucional të dy vendeve.
Nga Ardit Rada