Chelsea rihap kampin stërvitor, para takimit me klubet e tjera Chelsea e ka rihapur kampin stërvitor për t’i lejuar lojtarët të punojnë më shumë për ta kthyer formën e mirë para kthimit potencial të Premierligës, përkundër që kjo do të duhet të bëhet nën rregulla strikte. Ky vendim i Chelseat vjen pak para se të mbahet takimi me klubet dhe autoritetet e tjera për rinisjen e sezonit.
Një pjesë e skuadrës së Frank Lampard tashmë veçse kishte filluar të stërvitej jashtë shtëpisë në hapësira të izoluara, përderisa disa të tjerë, që kanë ardhur nga jashtë Anglia, do të duhet të qëndrojnë të vetëizoluar për 14 ditë, transmeton Gazeta Express.
Kjo është në pajtim me udhëzimet e qeverisë britanike për këdo që kthehet në Britani të Madhe nga jashtë vendit. Lojtarët që do të duhet të vetëizolohen janë Christian Pulisic, Ëillian, Pedro, Marcos Alonso, Emerson Palmieri, Kepa Arrizabalaga dhe Andreas Christensen.
Ndërkohë, Goal raporton se Chelsea ka filluar t’ua caktojë nga një orë në kamp stërvitor, në orare të ndryshme, lojtarëve që jetojnë afër kampit stërvitor, në mënyrë që ata të mund t’i vazhdojnë stërvitjet në ambient më mirë të pajisur.
Trajneri Lampard dhe stafi i tij s’do të jenë të pranishëm për t’i mbikëqyrur stërvitjet e lojtarëve, përderisa vetëm një anëtar i stafit mjekësor do të jetë i pranishëm për ta monitoruar situatën nga distanca. Kjo është bërë me qëllim që lojtarët të kenë mundësi të stërviten më mirë, në një ambient më të sigurt për ta, pasi që nëse do të stërviteshin në parqe do të mundë të rrethoheshin nga tifozë të interesuar t’i shohin ata teksa stërviten.